Policia e Shtetit- Tirane- Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Pas shtatë ditëve kërkim, Policia gjen trupin e 20 vjeçarit në lumë

Policia e Shtetit ka njoftuar se pas një jave kërkim për 20 vjeçarin Xh.S., ky i fundit është gjetur në lumin Erzen.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.05.2018 në “Shpellën e Pëllumbasit” ku shtetasi Xh.S., rreth 20 vjeç, si pasojë e rënies aksidentale nga gryka e kanionit në ujërat e lumit Erzen ku humbi jetën, dhe trupi i tij nuk u gjend si pasojë e marrjes nga rrjedha e ujit, ju bëjmë me dije se: Ditën e sotme rreth orës 15.00, rreth 1 kilometër larg nga vendi ku shtetasi Xh. S., ra nga lartësia, nga Polumbarët e RENEA-s është gjetur dhe është nxjerrë nga ujërat e lumit Erzen trupi i shtetasit Xh. S., rreth 20 vjeç”, thuhet në njoftimin e Policisë shqiptare.

Sipas njoftimit, pavarësisht kërkimeve intensive për një javë rresht nga Polumbarët e RENEA-s dhe një grup punonjësish të Stacionit të Policisë Farkë në terren shumë të vështirë nuk u bë e mundur gjetja e trupit të 20 vjeçarit.

Në njoftim thuhet se rreth 1 km më poshtë vendit ku dyshohej se ishte mbytur, polumbarët e RENEA-ss vendosën një rrjetë pritëse me qëllim pengimin e trupit për të mos e marrë rrjedha e lumit.

“Gjatë ditëve të kërkimit u devijua pothuaj 1/3 e rrjedhës së lumit. Sot rreth orës 15:00,  në vendin ku polumbarët kishin vendosur rrjetë pritëse, dy polumbarë të RENEA-s kanë gjetur trupin e viktimës.

Trupi i viktimës është nxjerrë dhe transportuar tek autoambulanca nga polumbarët, punonjësit e Policisë të Farkës  dhe nga zjarrfikësit ku po  transportohet për në morgun e spitalit”, thuhet në fund të njoftimit.