Marko Gjuriq - Foto: REL

Pas refuzimit të certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe, Gjuriq e quan VV-në 'fashiste e shoviniste'

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet në katër komunat veriore.

Sipas Gjuriq parandalimi i përfaqësuesve të Listës Serbe nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës është një akt me të cilin të gjitha të drejtat politike janë shfuqizuar.

Ai përmes një komunikatë për media se pjesëmarrja e mëtejshme e serbëve në çdo institucion të Prishtinës dhe proceset politike të organizuara nga Prishtina pas këtij akti “u bë e pakuptimtë”.

Sipas raportimit të RTS, Gjuriq poashtu ka njoftuar se vendimi për hapat e mëtejshëm do të bëhej pas konsultimeve me presidentin e Serbisë, qeverinë dhe përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova .

“Përfaqësuesit e lëvizjes fashiste dhe shoviniste Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Prishtinës sot kanë paraqitur masat e ndarjes kombëtare dhe serbët janë privuar zyrtarisht nga statusi i qenieve të lira në Kosovën e vetëshpallur”, tha ai.

“Një gjë është e sigurt, Serbia si një shtet demokratik dhe i përgjegjshëm, nuk do t’i privojë shqiptarët nga të drejtat civile dhe politike, sepse një çmenduri dhe papërgjegjshmëri e tillë e Prishtinës nuk mund dhe nuk duhet të shkrihet me reciprocitet”, tha Gjuriq.

“Është e pabesueshme që gjëra të tilla ndodhin përpara syve të bashkësisë ndërkombëtare, e cila, pa asnjë përgjigje efektive, shikon në të gjitha manifestimet më shkatërruese të tërbimit politik në Prishtinë”, shtoi ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së sotme  ka vazhduar mbledhjen e cila u ndërpre dje për shkak të dallimeve në mes të anëtarëve të KQZ-së për të votuar për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Mirëpo, me 7 vota për dy abstenime KQZ-ja nuk arriti t`i certifikojë kandidatët e Listës Serbe.

KQZ-ja ka certifikuar vetëm kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje si dhe të Partisë Demokratike të Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe.