Pas miratimit të rregullores për pagat e krijuesve, sindikalistët ndërprenë grevën

Punëtorët e tri institucioneve të Kulturës: Teatrit Kombëtar, Filharmonisë dhe AKKV “Shota” i kanë dhënë fund grevës së nisur javën e kaluar për shkak të pagave.

Ndërprerja e grevës ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten Rregulloren për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore, përmes së cilës parashihet rritja e rrogave për këtë kategori, siç edhe ka qenë kushti i sindikalistëve për ndërprerjen e grevës.

Në një konferencë të  mbajtur për media pas vendimit të qeverisë, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se MKRS ka mbajtur premtimin e  dhënë kohë më parë artistëve.

“Me miratimin e kësaj rregulloreje, performuesit e kulturës, stafet tekniko-artistike dhe punëtorëve të trashëgimisë do të marrin paga të dinjtetshme ashtu edhe siç kanë kërkuar”, ka thënë ministri Gashi, i cili në konferencë ishte i shoqëruar nga përfaqësues të grevistëve të institucioneve të kulturës.

Ndërsa përfaqësues të sindikalistëve janë shprehur se pas miratimit të rregullores greva ndërpritet dhe nga nesër në tri institucionet kulturore Teatrit Kombëtar, Filharmonisë dhe AKKV “Shota” do të kthehet normalitetit.