Anëtari boshnjak i presidencës Bakir Izetbegoviq. Foto: bakirizetbegovic.ba
Partia Serbe e Bosnjës Padit Izetbegoviqin
Një parti politike serbe e Bosnjës, Lëvizja Kombëtare Demokratike, NDP, njoftoi se do të ngrejë padi kundër anëtarit boshnjak të presidencës së vendit, Bakir Izetbegoviq, për shmangie të institucioneve shtetërore gjatë paraqitjes së kërkesës për rishikim të padisë së Bosnjës për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të enjten e kaluar e refuzoi kërkesën për të rishikuar gjykimin që liroi Serbinë nga përgjegjësia për gjenocid, duke thënë se “nuk është marrë asnjë vendim nga autoritetet kompetente në emër të Bosnjës dhe Hercegovinës si një shtet” për të kërkuar rishikimin.
Në padinë e NDP-së përfshihet edhe Sakib Softiq, këshilltari ligjor i Bosnjës në çështjet origjinale, i cili paraqiti kërkesën për rishikim të vendimit më 23 shkurt.
Kryetari i NDP-së Dragan Çaviq tha se partia e tij akuzon Izetbegoviqin dhe Softiqin për “mashtrim, nxitje për mashtrim dhe uzurpim të kompetencave kushtetuese”.
Zyra e prokurorit shtetëror të Bosnjës tha gjithashtu të premten se ajo do të hapë në çështje për të hetuar akuzat për rolin e Softiq si përfaqësues ligjor i vendit në paraqitjen e kërkesës për rishikim të gjykimit të GjND-së.
Prokuroria nuk tha nëse do të hetohet gjithashtu edhe roli i Izetbegoviqit.
Nisma për të rishikuar gjykimin e vitit 2007 erdhi nga Izetbegoviqi, por ai nuk arriti të fitonte mbështetjen nga anëtari kroat dhe ai serb në presidencën trepalëshe të vendit.
Muajin e kaluar GjND-ja i shkroi secilit prej anëtarëve të presidencës duke i kërkuar atyre të sqaronin nëse Softiq ishte përfaqësuesi legjitim i vendit – gjë të cilën anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, Mladen Ivaniq, e kishte diskutuar në letrat e tij dërguar GjND-së.
Raportet e mediave cituan nënkryetarin e NDP-së, Momqilo Novakoviq, të ketë thënë se partia e tij do ta paraqite ankesën e saj të hënën, “sidomos tani që ka dalë në pah se dihej që më parë që Sakib Softiq nuk kishte legjitimitet” për veprimet e tij.
Në maj 2016 GjND kishte njoftuar Softiqin se ajo nuk e konsideronte atë si një përfaqësues të autorizuar për shtetin e Bosnjës.
Një numër politikanësh e kanë kritikuar Izetbegoviqin dhe Softiqin që kur kjo ngjarje u bë publike në media, duke thënë se ata ia fshehën këtë fakt njerëzve.
Megjithatë, Softiq tha për portalin e lajmeve KLIX se letra nga maji 2016 përmbante vetëm mendimin e një kryesekretari të gjykatës, jo mendimin e GjND-së si një institucion.
Vendimi i GjND-së në vitin 2007 e shfajësoi Serbinë nga përgjegjësia për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në luftën e viteve 1992-1995, por e shpalli atë pjesërisht përgjegjëse për mosndalimin e tij.