Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim të Dyshuarit për Krime Lufte në Fushë-Kosovë

Më shumë se shtatëmbëdhjetë vjet pas krimit për të cilin dyshohet, S. Bislimi ka dalë para Gjykatës në Prishtinë, e cila i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Shtetasi serb i nacionalitetit rom dyshohet për veprën penale – krime të luftës kundër popullatës civile, të kryer më 26 mars 1999 në Fushë-Kosovë.

S. Bislimi ishte arrestuar në Bosnjë-Hercegovinë në gusht të këtij viti, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Prishtinë më 13 shkurt 2013.

Pikërisht sipas kërkesës së PSRK-së, Bislimi u ekstradua në Kosovë më 9 dhjetor 2016, ndërsa masa e paraburgimit prej një muaji iu caktua me aktvendimin një ditë më pas.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, të cilën KALLXO.com e ka siguruar, Bislimi dyshohet për ngjarjet e ndodhura më 26 mars të vitit 1999 në Fushë-Kosovë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën e lartpërmendur te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.

Kërkesa për caktimin e paraburgimit përmend se njëri nga këta burra ishte Haki Bajrami, kufoma e të cilit ishte nxjerrë nga një varrezë masive në Dragodan, ndërsa trupi i tij u identifikua tek më 17 gusht të vitit 2000.

Vetë Bislimi sipas aktvendimit për caktimin e paraburgimit, në seancën e mbajtur për caktimin e masës së sigurisë ka mohuar pretendimet e prokurorit.

“Në kohën kur Prokuroria pretendon se kanë ndodhur ngjarjet unë kam qenë në Mladenova te vajza ime e jo në Fushë-Kosovë”, ka thënë Bislimi në seancën për masën e sigurisë.

Prokurori Charles Hardaway kërkesën për caktimin e paraburgimit e arsyeton me peshën e veprës penale dhe atë se nëse Bislimi do të ishte në liri, ai do t’i ikte drejtësisë pasi që është shtetas i Serbisë.