Gjykata në Ferizaj

Paraburgim 6 Personave për 324 Kilogramë Narkotikë

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e prokurorisë në këtë qytet për caktimin e masës së paraburgimit prej një  muaji ndaj të pandehurve me inicialet A.L, R.H., F.G., F.A., G.A., dhe F.S. që të gjithë  shtetas të Republikës së Kosovës.

Sipas prokurorisë, të pandehurit dyshohet se në fshatin Krushë e Madhe të Komunës së Rahovecit, duke vepruar si anëtarë grupi, pa autorizim kanë blerë dhe kanë përgatitur për transport dhe shitje, substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë.

Prokuroria më tutje bën me dije se në një aksion të Njësive të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë të zhvilluar më 25 prill në Ferizaj, Gjakovë Prizren dhe Gjilan janë gjetur dhe sekuestruar 184 kilogramë e 39 gramë substanca narkotike të dyshuara të llojit marihuanë.

Narkotikë të llojit marijuanë ishin zbuluar e sekuestruar edhe më 26 prill në Bibaj e Cërnillë të Ferizajt-gjithsej 140 kilogramë.

Prokuroria në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjashtë personave pretenedon se kjo sasi  e narkotikëve të sekuestruar dyshohet se ka origjinën nga Republika e Shqipërisë, ndërsa ka qenë e destinuar për eksport në shtetet e perëndimit dhe Turqisë.

Si pasojë e këtyre veprimeve të përshkruara në kërkesën për caktimin e paraburgimit, të arrestuarit dyshohen për veprën penale  blerje, posedim, shpërndarje ose shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Gjatë këtij aksioni të shtrirë në disa qytete të Kosovës,  bëhet e ditur se gjithashtu janë sekuestruar përkohësisht në cilësinë e provave 22 telefona celularë, pesë vetura si dhe mjete dhe vegla të tjera të punës.

Për 324 kilogramët e narkotikëve të sekuestruar KALLXO.com raportoi të mërkurën.

http://kallxo.com/policia-kap-mbi-300-kilograme-droge/