Pal Lekaj në Zvicër, përderisa deputetët mblidhen për të folur për monopolin e homologimit

Deputetët e Kosovë do të mblidhen nesër për të diskutuar vendimet qeveritare që quan në një monopol të homologimit të automjeteve.

Në këtë diskutim do të mungojë. Ministri i Infrastrukturës i cili ka nxjerrë edhe Udhëzimin Administrativ që i garanton licencën për homologim vetëm kompanisë “Eurolab”.

Kjo seancë ishte thirrur nga deputetët e opozitës.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj është duke qëndruar në Gjenevë të Zvicrës në një diskutim për të arriturat e Kosovës në infrastrukturë dhe transport.

“Ministri Lekaj po qëndron në Gjenevë të Zvicrës, me ftesë nga Crans Montana Forum, ku do të jetë edhe njëri nga panelistët e sesioneve, për të treguar të arriturat e Kosovës në infrastrukturë dhe transport. Në Kosovë, Lekaj do të kthehet të shtunën, kur forumi mbyllë punimet”, tha për KALLXO.com, zëdhënësja e ministrisë, Fillojeta Konjuhi.

Nga ministria thonë se konfirmimin për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, ministri Lekaj e ka bërë para disa muajve.

“Konfirmimin për pjesëmarrje në këtë aktivitet, Lekaj e ka bërë para disa muajve, ndërsa për seancë jemi njoftuar, vetëm pas arritjes në Gjenevë. Lekaj është i gatshëm të marrë pjesë në seancë pas kthimit kurdo”, tha Konjuci për KALLXO.com.

Pal Lekaj gjatë një aktivitetit në Gjenevë të Zvicrës

Emisioni Drejtësia në Kosovë përmes një hulumtimi të gjerë e kishte ngritur këtë shqetësim qysh në maj të vitit të kaluar.

Hulumtimi i DnK-së tregon për rrezikun që po i kanoset tregut të lirë nga ky Udhëzim Administrativ.

Drejtësia në Kosovë kishte publikuar hulumtimin se Udhëzimi Administrativ i nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës bie ndesh me Ligjin për Mbrojte të Konkurrencës dhe shpie në pabarazi.

Vetëm një vit më paë, kur edhe zyrtarët e BE-së në Kosovë kërkuan nga deputetët të marrin masa, kjo çështje ka filluar të diskutohet.

Ministri Lekaj, gjatë raportimit të djeshëm, deklaronte se përgjegjës për vazhdimin e licencës për kompaninë Eurolab është qeveria e kaluar e drejtuar nga Isa Mustafa dhe koalicioni PDK-LDK që kishin miratuar ligjin për automjete.

Më poshtë mund ta gjeni hulumtimin e emisionit “Drejtësia në Kosovë” të publikuar në maj të vit të kaluar.

Trashja e monopolit në homologim