Limaj thotë se nuk ka pasur treg për dy kompani të homologimit të makinave

Kandidati për kryeministër nga koalicioni, Nisma- AKR- PD, Fatmir Limaj pas një debati me ekspertët tregoi se në kohën kur i është dhënë kontrata për homologim një kompanie nuk ka pasur treg që të futen më shumë kompani në homologim të makinave.

Ai në fillim tha se në momentin që ka ardhur homologimi 99 përqind të automjeteve në Kosovë kanë qenë pa kontroll teknik.

“Jam i bindur që një pjesë e madhe e juja në sallë edhe ju nuk i keni kontrolluar kerret në kontrolle teknike pa e qu kerrin në kontroll keni dalë në trafik. 99 përqind të qytetarëve të Kosovës, deri në 2008 asnjë nuk e ka qu kerrin në kontroll teknik”, tha Limaj.

Ai tutje tha edhe se kanë qenë gjashtë kompani që kanë aplikuar për kontratë të homologimit të makinave.

“Kështu e kam gjet gjendjen, nuk ka qenë monopol, kanë qenë 6 kompani që kanë aplikuar. Homologimi sot kontrollohet me sistemin e kamerave. Përmes homologimit janë detyruar kontrollet teknike me hy në automjete dhe mos me mujt me ta dhanë lejen apo me të dhanë nëse mundësin me thanë që nesër mundësinë me thanë u kontrollu kerri pa u kontrollu. Nuk ka pasur monopol”, tha Limaj.

Ai insistoi duke thënë se nuk ka monopol në homologim.

“Do të vlerësohet në bazë të numrit të automjeteve. Nuk është monopol. Ne jemi kundër monopoleve. Aktualisht me sa di janë 2 – 3 oferta që do të hapen për monopol të paktën kështu kam dëgjuar. Sipas ekspertëve jemi duke folur 10 vjet pas, ekspertët vlerësojnë që aktualisht në Kosovë ka shtim të automjeteve dhe ka nevojë shtesë për me hap qendra të reja të homologimit”, shtoi ai.

Tutje ai tha se është kundër të gjitha monopoleve deri sa tha edhe se në kohën kur është filluar homologimi nuk ka pasur treg për më shumë se një kompani që të kontraktohet.

“Nuk ka pasur treg për dy kompani, s’kanë qenë të interesuara dy me u fut sepse ka automjete sepse kanë qenë 200 mijë automjete. Aty llogaritet çmimi nuk futet kompania private për ty e mu që po e vlerësoj edhe unë. Nuk ka treg”, tha ai.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë, të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë:  Fatmir Limaj– NISMA, Skender Reçica – NISMA, Bekim Brestovci – NISMA, Valdete Bajrami – NISMA, Arbëreshë Krasniqi – NISMA, Agim Çaka – NISMA, Albulena Balaj Halimaj – NISMA, Vesel Krasniqi – NISMA, Aferdita Gjonbalaj – NISMA, Fehmi Hysenaj – NISMA si dhe Fatmir Matoshi – AKR.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com