FOTO KUVENDI I KOSOVES

Kuvendi mblidhet të premten për të diskutuar monopolin në homologim

Të premten, më 28 qershor Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për monopolin në homologim.

Kjo seancë e jashtëzakonshme është ftuar nga partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e ka konfirmuar mbajtjen e kësaj seance.

“Me kërkesë të opozitës, të premten mbahet seanca e jashtëzakonshme për ndërprerjen e monopolit në homologim”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Të martën, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka raportuar para deputetëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik në lidhje me këtë çështje.

Kompania që ka monopolin në homologimin e automjeteve është “Eurolab”. Kontrata e Eurolab me Ministrinë e Infrastrukturës daton që nga 2009 dhe do të përfundoj brenda pak ditëve.

Mirëpo, një Udhëzim Administrativ i nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës, sipas Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është i jashtëligjshëm.

Ky Udhëzim Administrativ ia mundëson ‘Eurolabit’që ta ketë monopolin në homologim të automjeteve edhe për vite të tjera.

Emisioni Drejtësia në Kosovës përmes një hulumtimi të gjerë e kishte ngritur këtë shqetësim qysh në maj të vitit të kaluar.

Hulumtimi i DnK-së tregon për rrezikun që po i kanoset tregut të lirë nga ky Udhëzim Administrativ.

Drejtësia në Kosovë kishte publikuar hulumtimin se Udhëzimi Administrativ i nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës bie ndesh me Ligjin për Mbrojte të Konkurrencës dhe shpie në pabarazi.

Vetëm një vit më pasë, kur edhe zyrtarët e BE-së në Kosovë kërkuan nga deputetët të marrin masa, kjo çështje ka filluar të diskutohet.

Ministri Lekaj, gjatë raportimit të djeshëm, deklaronte se përgjegjës për vazhdimin e licencës për kompaninë Eurolab është qeveria e kaluar e drejtuar nga Isa Mustafa dhe koalicioni PDK-LDK që kishin miratuar ligjin për automjete.

Këtu mund ta gjeni hulumtimin e emisionit “Drejtësia në Kosovë” të publikuar në maj të vit të kaluar.

 

Kerkesa e opozies per seance te jashtezakonshme per monopolin ne Homologim Foto: Albulena Haxhiu Facebook