Një "Legjion i Zi" ustash duke marshuar në Sarajevë në vitin 1942. Foto: Wikimedia Commons.

Padia për Kompensim Kundër Kroacisë ‘Gjasa të Dështojë’

Padia private u ngrit kundër shtetit kroat nga pasardhësit e viktimave të Luftës së Dytë Botërore në Gjykatën e Qarkut të Ilinoisit Verior në SHBA, raportoi të hënën gazeta kroate “Vecernji list”.

Paditësit kërkojnë 3,2 miliardë euro kompensim nga Kroacia për pronën e konfiskuar, si edhe për vuajtjet e të afërmve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, të shkaktuar nga ana e shtetit kukull pronazist, Shteti i Pavarur i Kroacisë, NDH, i cili drejtohej nga lëvizja fashiste ustashe.

Por Mato Paliç, një profesor universitar i të drejtës kushtetuese, tha për BIRN se padia ka të ngjarë të dështojë për shkak se “Kroacia nuk është një pasardhëse ligjore e NDH-së”.

Paliç tha se Kroacia e mori sovranitetin e saj nga një deklaratë e miratuar nga autoritetet komuniste antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nga kushtetutat e saj kur ajo ishte pjesë e shtetit socialist federativ të Jugosllavisë.

“Vecernji list” raportoi gjithashtu se kishte marrë informacione pakonfirmuara se padia ka gjasa të dështojë sepse shteti kroat nuk është pasues ligjor i NDH-së, siç citohet në preambulën e Kushtetutës së vendit.

Gazeta raportoi se Ministria e Jashtme në Zagreb e ka marrë padinë, e cila u paraqit majin e kaluar nga pasardhës të serbëve të Kroacisë, hebrenjve dhe romëve – Lizabeth Lalich, Mladen Djuricich, Robert Predrag Gakovich, Velko Miljus, Bogdan Kljaiç, David Levy dhe Daniel Pyevich.

Lëvizja ustashe shënjestroi serbët, hebrenjtë dhe romët, duke i vrarë ata, duke i dërguar në kampet naziste gjermane që ndodheshin në Kroaci dhe duke konfiskuar pronën dhe sendet e tyre.

Konfiskimet nën sundimin e NDH-së ishin pjesë e një procesi të quajtur si “Arianitizimi i pronës”, në të cilin prona e serbëve, hebrenjve dhe romëve iu dha kroatëve etnikë sipas ligjeve raciale të miratuara në vitin 1941 dhe të modeluara sipas legjislacionit nazist.

Aktualisht është e pamundur që të merret dëmshpërblimin për pronën e konfiskuar gjatë sundimit të NDH-së.

Megjithatë, Kroacia miratoi një ligj në vitin 1996 që mundëson rikthimin e pronës së konfiskuar për shtetin gjatë kohës së Jugosllavisë.

Jugosllavia socialiste konfiskoi sasi të mëdha të pronës private nga kapitalistët e mëdhenj dhe ata të mesëm, fermerët e mëdhenj, komunitetet fetare dhe qytetarët e thjeshtë.

Sanja Tabakoviç Zoriciç nga komuniteti hebre i Zagrebit tha se çështja e pasurisë së konfiskuar “është një çështje komplekse dhe e pazgjidhur”.

“Kemi pasur situata në të cilat prona u është rikthyer personave që ia morën atë hebrenjve. Ky është një ligj shumë i kontestuar dhe ne kemi përkrahur ndryshimin e tij që kur ai është miratuar, por pa sukses”, tha për BIRN Tabakoviç Zoriciç.

Ajo tha se problemi tjetër ishte se ligji thotë se vetëm të afërm të afërt mund të kërkojnë dëmshpërblim, ndryshe nga trashëgimia e rregullt e Kroacisë, gjë që është problem sepse ndonjëherë gjatë Luftës së Dytë Botërore janë vrarë familje të tëra hebrenjsh.

Ajo shtoi gjithashtu se procedurat ligjore duan shumë kohë.

Ajo theksoi më tej se pjesa më e madhe e pasurisë hebreje e sekuestruar gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk është rikthyer, pavarësisht përpjekjeve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kroaci dhe të dërguarit të Departamentit të Shtetit.

Nicholas Dean, i dërguari i posaçëm për çështjen e Holokaustit në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, vizitoi Kroacinë në prill dhe u takua me presidenten Kolinda Grabar Kitaroviç dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.

Në raporte të pakonfirmuara rreth vizitës u sugjerua se Kroacia do të fillojë punën për ndryshimin e ligjit dhe se Departamenti i Shtetit e mbështet komunitetin hebre në përkrahjen e legjislacionit dhe se do të sigurojë rikthimin e pronës së konfiskuar gjatë sundimit të NDH-së.