Konfirmohen deklaratat e Jusuf Buxhovit për rolin e Xhafer Devës në shpëtimin e hebrenjve

Historiani Jusuf Buxhovi ka deklaruar gjatë intervistës në emisionin “Kallxo Përnime” se Xhafer Deva nuk ka urdhëruar apo ka qenë i përfshirë në deportimin dhe vrasjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Xhafer Deva jo që nuk ka lejuar deportimin dhe ndjekjen e hebrenjve, por i ka mbrojtur ata. Këto janë fakte historike”, ka thënë ai gjatë intervistës në “Kallxo Përnime”.

Deklaratat e Buxhovit mund të konfirmohen edhe nga një recension i Jay Weinstein botuar në 2008 në Revistën e Sociologëve të Miçigenit (Michigan Sociologal Review) në ShBA, mbi studimin shkencor të Harvey Sarner “Shpëtimi në Shqipëri: 100 për qind e hebrenjve në Shqipëri shpëtuan nga Holokausti”.

Studuesi Weinstein e bën një kritikë të librit “Shpëtimi në Shqipëri: 100 për qind e hebrenjve në Shqipëri shpëtuan nga Holokausti” të botuar nga Harvey Sarner. Në këtë shkrim studiuesi shkruan se kur në pranverën e vitit 1944 nazistët i kërkuan zyrtarisht Qeverisë shqiptare një listë të plotë të hebrenjve dhe kërkuan që të mblidheshin në një vend, Deva, atëherë ministër i Brendshëm, refuzoi.

“Në fund të vitit 1943, gjermanët kërkuan një listë të të gjithë hebrenjve që jetonin në Shqipëri, dhe në pranverën e vitit 1944, nazistët i kërkuan zyrtarisht regjencës një listë të ngjashme dhe kërkuan që hebrenjtë të mblidheshin në një vend. Mbi bazën e ankesave të liderëve hebrenj, ministri i Brendshëm Xhafer Deva refuzoi kërkesën e gjermanëve, duke argumentuar se një veprim i tillë do të përbënte ndërhyrje në punët e Shqipërisë”, thuhet në faqen 143 të studimit.

Citati origjinal i studimit të Sarner në “Michigan Sociologal Review”, f. 143.
[/caption]Ky shkrim mund të në ueb-faqen bibliotekës digjitale JSTOR. Revista lejon qasje pa kompensim financiar deri në 100 punime, në mesin e të cilëve gjendet studimi për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.

Qasja në punimin e Sarnerit mund të arrihet duke regjistruar të dhënat në ueb-faqe dhe një kërkim të thjeshtë.

Ueb-faqja për qasje në revistën “Michigan Sociologal Review”

Xhafer Deva, ishte ministër i Brendshëm në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës, gjatë viteve 1943/44, në kohën e pushtimit gjerman të Shqipërisë.

Ditëve të fundit në Kosovë ka shpërthyer një debat rreth rolit të Xhafer Devës në përndjekjen apo shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjithçka nisi pas një reagimi në Twitter të ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili shprehu shqetësimin e tij rreth planit të Ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Ambasadori Jörn Rohde, ka thënë se është i shqetësuar me planet për restaurimin e shtëpisë së Devës, siç ka potencuar ai, bashkëpunëtorit të nazistëve gjermanë.

Ai kërkon nga autoritetet të zbardhin të vërtetën dhe të mos harrohen krimet që janë kryer nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skanderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas #MbroFaktet”, ka shkruar në Twitter, ambasadori Rohde.

Pas reagimeve lidhur me këtë çështje është suspenduar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës.

Ndërsa, për figurën e Xhafer Devës mbrëmë ka dhënë hollësi historiani Jusuf Buxhovi.

Xhafer Deva nga Mitrovica, njihet si bashkëpunëtor i ngushtë i nazistëve gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në fillim të këtij muaji, Ministria e Kulturës njoftoi për fillimin e restaurimeve të shtëpisë së Xhafer Devës. Shtëpia e Xhafer Devës është monument në mbrojtje të përkohshme.