Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli uron takimin historik të dy liderëve koreanë

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka uruar qytetarët dhe qeverinë e Koresë për takimin historik mes liderëve të tyre.

“Dua të uroj qytetarët dhe qeverinë e Koresë për hapin historik që kanë ndërmarrë për të siguruar paqe dhe përparim në gadishullin korean”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Pacolli gjithashtu ka përgëzuar edhe Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, për përpjekjet e tyre për ta arritur një paqe të qëndrueshme në gadishullin korean.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jea-in dhe lideri verikorean, Kim Jong Un janë takuar sot, duke i dhënë fund kështu një periudhe 65 vjeçare të raporteve të ngrira e armiqësore mes dy vendeve.

Moon dhe Kim shtrënguan duart kur u takuan në kufi mes dy shteteve. Dy liderët më pas kaluan në territorin e Koresë së Veriut për t’u nisur më pas për në Jug, ku u mbajt takimi.