Vërshimet në Pejë

Behgjet Pacolli hap fondacion për të ndihmuar familjarët e viktimave pas vërshimeve në Pejë

Kryetari i AKR-së dhe deputeti Behgjet Pacolli ka njoftuar se ka hapur një fondacion për t’u dalë në ndihmë financiarisht familjes së dy viktimave nga vërshimet në Pejë.

Pacolli u ka bërë thirrje politikanëve, biznesmenëve dhe të gjithë qytetarëve për të kontribuar.

“Sapo kam hapur një GoFundMe për të ndihmuar së bashku edhe financiarisht sadopak familjen Ademaj. U bëj thirrje politikanëve, biznesmenëve dhe të gjithëve me zemër dhe mundësi për të kontribuar. Çdo euro do të thotë shumë për familjen. Zoti ju shpërbleftë!” – ka shkruar Pacolli në Facebook.

Qyteti i Pejës dje në orët e mbrëmjes u godit nga reshje të mëdha të shiut të cilat shkaktuan vërshime në disa lagje.

Si pasojë e vërshimeve dy persona kanë mbetur të vdekur. Viktimat janë një fëmijë 5-vjeçar, si dhe nëna e tij.

Fillimisht, nëna e fëmijës ishte raportuar si personi i zhdukur, përderisa pas gjetjes së saj, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.