Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi

Takimi në Berlin: Thaçi, Haradinaj e Pacolli udhëtojnë me aeroplanin e këtij të fundit

Dy krerët shtetërorë, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, më 29 prill do të jenë të pranishëm në takimin për Ballkanin Perëndimor në kryeqytetin e Gjermanisë.

KALLXO.com merr vesh që bashkë me Thaçin e Hardinajn për në Berlin do të udhëtojë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Të tre pritet të udhëtojnë me të njëjtin aeroplan.

Sipas burimeve të KALLXO.com, tre zyrtarët e shtetit do të udhëtojnë me aeroplanin privat të ministrit Pacolli.

KALLXO.com ka kontaktuar Jetlir Zyberajn, këshilltarin e ministrit të Jashtëm. Ai ka thënë se nuk e di nëse Thaçi, Haradinaj e Pacolli do të udhëtojnë me aeroplanin e këtij të fundit.

Nën organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emanuel Macron, në Berlin do të zhvillohet një samit për Ballkanin Perëndimor.

Aty, nga Serbia, do të jenë të pranishëm presidenti Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

Pjesë e takimit, gjithashtu do të jenë edhe liderët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Marrëdhëniet Kosovë- Serbi janë ftohur që prej vendosjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës nga Qeveria e Kosovës. Shteti serb e kushtëzoi vazhdimin e dialogut në mes dy vendeve me tërheqjen e taksës të vënë nga autoritetet kosovare.

Ky samit i liderëve të Ballkanit Perëndimor do të shërbejë për dy vendet, Kosovën e Serbinë, që të përafrojnë qëndrimet për të vazhduar dialogun e nisur vite më parë për normalizim të marrëdhënieve.

Në fakt, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, fokusi kryesor i Samitit të Berlinit më 29 prill do të jetë dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse, sipas Hoxhajt nuk pritet të ketë ndonjë marrëveshje konkrete në mes dy vendeve.

Gjatë ditës së djeshme, gazeta austriake “Der Standard” ia kushtoi një artikull takimit e 29 prillit në Berlin. Sipas kësaj medie, ideja për  korrigjimin e kufijve e përmendur në opinion që nga mesi i vitit të kaluar, mes Kosovës dhe Serbisë, do të varroset në kryeqytetin gjerman.

Edhe pse ende nuk dihet agjenda e saktë e këtij takimi, ditë më parë ambasadori gjerman në Serbi, siç raportuan mediat serbe, paralajmëroi se shteti i Kosovës do të tërhiqet nga taksa e vënë në nëntor të vitit të kaluar kundër produkteve serbe dhe boshnjake.

“Shpresojmë që tarifat së shpejti të shfuqizohen dhe do të krijohen kushte për vazhdimin e dialogut. Në fakt kjo nuk është gjë e mirë që dialogu duhet të pezullohet, sepse nuk ka komunikim. Kjo gjë duhet të tejkalohet, dialogu duhet të fillojë përsëri. Tarifat duhet të hiqen dhe tërhiqen”, deklaroi ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Shib.

Takimin e Berlinit e kanë konfirmuar prijësit e shtetit të Kosovës gjatë ditës së djeshme.

Në deklarime publike, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj njëzëri thanë se do të marrin pjesë në samitin e Berlinit, por nuk patën ndonjë takim për t’u koordinuar në qëndrime.

Në një deklarim për Gazeta Jeta në Kosovë, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, tha dje se në takim Kosova do të shkojë e koordinuar, por nuk tregoi nëse krerët institucionalë do kenë ndonjë takim.

“Sigurisht që Kosova do të shkojë në koordinim ndërinstitucional në këtë takim dhe sigurisht që tashmë dihen qëndrimet e kryeministrit për temat e rëndësishme të vendit”, tha ajo.

Ndërkohë, dje i pari i ekzekutivit, Ramush Hardinaj tha se nga takimi i Berlinit do të kërkojë që Kosovës t’i kthehet një borxh.

“Samiti i Berlinit është një mundësi e mirë dhe një tavolinë e përbashkët e Ballkanit Perëndimor dhe Kosova e ka perspektiven evropiane dhe për mua ka shumë rëndësi se Evropa e ka një borxh ndaj Kosovës, pra liberalizimin e vizave dhe vendimi ende nuk është marrë. Aty janë udhëheqësit kryesor si Merkel dhe Macron, shpresoj që të kam mundësi t’ua rikujtoj këtë borxh, nuk mendoj se aty do të ketë negocim për territorin e Kosovës dhe Serbisë e as për Zajednicë”, deklaroi para medieve sot Haradinaj.

Ai përsëriti qëndrimin e tij rreth diskutimeve për prekje të kufijve.

“Kjo është një energji e re që po ndodhë në prag të samitit, ajo që duhet të ndodhë është që të arrihet një pajtim mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, nuk është se Kosova i falë, por është një lloj kompromisi njohja e ndërsjellët mbi të kaluarën, jo me harru”, tha ai.

A ka agjendë prapa në takimin e Berlinit?

Presidenti i Kosovës të mërkurën ka reaguar mbi raportimet e mediave se në takimin e Berlinit ekziston një agjendë e fshehtë.

Në një postim në “Facebook”, Thaçi tha se nuk ka asnjë agjendë apo plan në raport me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa përmendi edhe liberalizimin e vizave si çështje që mund të diskutohet në kryeqytetin gjerman.

“Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, shkroi shefi i shtetit.

Kryeziu: Kosova ta qartësojë qëndrimin negociues në kuadër të dialogut

Ky takim për Ballkanin Perëndimor në Berlin të Gjermanisë në Kosovë po vlerësohet si mundësi për të qartësuar qëndrimet e shtetit të Kosovës në raport me dialogun Kosovë- Serbi.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Europiane (EPIK), në një deklarim për Gazeta Jeta në Kosovë tha se takimi në Berlin duhet të shfrytëzohet nga krerët kosovarë për të paktën tri gjëra.

“E para, duhet të krijohen parime të reja negociuese, që nënkupton se njëherë e përgjithmonë me u përjashtu mundësia që territori i Republikës së Kosovës me qenë objekt diskutimi në kuadër të këtyre negociatave. E dyta, është shumë me rëndësi që në këtë proces të kuptohet që ShBA dhe Gjermania janë në të njëjtën anë, le të themi, të ekuacionit, dhe të dyja vendet të dakordohen që territori mos të përfshihet në këto negociata. Dhe, një risi tjetër që mund të jetë është çështja e taksës. Ne e dimë që taksa e ka pamundësuar vazhdimin e dialogut në aspekt, le ta themi, formal”, tha Kryeziu.

Sipas tij, në takimin e Berlinit mund të çohet përpara procesi i liberalizimit të vizave.

“Mund të ketë kërkesë nga ana e kryeministrit që procesi i vizave të marrë fund, në kuptimin e asaj që Gjermania dhe Franca ta shtyjnë përpara një vendimmarrje sa më shpejt brenda Këshillit dhe kjo të shërbejë si një momentum nga ana e Qeverisë për ta pezulluar taksën”, deklaron Kryeziu për Gazetën.

Ndërsa, sa i përket harmonizimit të qëndrimeve të krerëve kosovarë në raport me të ardhmen e dialogut, Kryeziu thotë se një veprim i tillë e dëmton pozicionin e shtetit në negociatat me Serbinë.

“Mosharmanizimi i qëndrimeve të liderëve kosovarë e dëmton pozicionin tonë negociues, gjendja ku jemi sot prej momentit kur ka dalë në publik ideja për shkëmbim territoresh. Ajo e ka polarizuar skenën tonë politike, faktorin ndërkombëtar, prandaj këto kundërshti ndërmjet shefit të shtetit dhe kryeministrit të vendit, normal që shkojnë në dobësim të pozicionit tonë negociues”, vlerëson Taulant Kryeziu.

Haradinaj: S’kam informata për draft-marrëveshjen Kosovë-Serbi në Berlin

www.kallxo.com