Behgjet Pacolli ne Komisionin per Pune te Jashtme - 19.12.2018 - foto KALLXO 2

Pacolli e nis raportimin e tij duke arsyetuar 'mungesat' në Komisionin për Punë të Jashtme

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk i kam ikur përgjegjësisë për të raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme. Kërkoj falje nëse ju keni konsideruar se unë i kam ikur raportimit në Komision. Nuk i kam ikur përgjegjësive të mia dhe kam ardhur në takime kur ka qenë e mundur. Tri herë kam marr pjesë në Komision këtë vit. Më 12 qershor 2018 ka qenë takimi i fundit. Kam marrë 6 ftesa për takim nga ju këtë vit. Për herët e tjera për shkak të vizitave ka qenë e pamundur të jem në mbledhje të Komisionit. Ndoshta distanca larg syve – larg zemrës ka ndikuar për mosmarrëveshje”, tha ministri Pacolli, duke arsyetuar mungesën e tij për paraqitje para Komisionit Parlamentar.

“Mungesat e mia janë të arsyeshme, unë asnjëherë si kam refuzuar ftesat e Komisionit. Tash viti i ri dhe mos të kemi hidhërime për vitin e ardhshëm. Do të kemi gjithëherë bashkëpunime.  Në jetën time kisha dashur të jem vetëm një muaj ministër i Jashtëm i shtetit. Unë nuk jam vetëm ministër i Jashtëm sepse fut çdo kund.  Të mos quhen “skuta” disa takime. Ato janë korridore që me mundësi i zhvillojmë takimet.  Për 100 ditë e para në qeverisje me stafin tim kam kaluar 100 kilometra. 180 ditë kam qenë në udhëtim”, tha Pacolli.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani ju drejtuar Pacollit duke i thënë se: “Ju keni kërkuar që të raportohet sot për nesër. Është e pamundur për një trup të komisionit të bëjë takime sot për nesër. Kjo është për dy arsye: Për arsye të seancave dhe për shkak se ne na duhet takimet t`i konfirmojmë në administratë 4 ditë më herët. Unë kam bërë tentim, por rregullorja e Kuvendit nuk lejon që të mbahen takimet nëse nuk janë konfirmuar katër ditë më herët. Përgjigjja është dashur të jepet më urgjentisht sepse ka pasur shumë zhvillime të jashtëzakonshme në politikën e Jashtme. Sot do të mbesim këtu deri vonë sepse janë grumbulluar temat”, tha Osmani.