Pacolli: Kosova në vendin e dytë në rajon për liritë ekonomike

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, sot priti në një takim Zëvendës-Presidentin e Fondacionit Heritage me seli në Uashington D.C., Dr James Carafano.

Gjatë këtij takimi  kreu i diplomacisë Kosovare, Pacolli, ka njoftuar përfaqësuesin e këtij Institucioni me zhvillimet e gjithmbarshme në Kosovë dhe përparimet e shënuara deri më tash, ndërkohë që u diskutua në lidhje me mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në  të ​ ardhmen.

Zëvendës presidenti i Fondacionit Heritage, Carafano, ka njoftuar ministrin e Jashtëm Pacolli,  në lidhje me Indeksin për Liritë Ekonomike dhe të arriturat e Kosovës në këtë drejtim, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli krahas suksesit që ka arritur Kosova,  prapë duhet më shumë punë nga ana jonë për t`u renditur në mesin e vendeve të para.

“Është lajm i mirë, që Kosova vazhdon të renditet relativisht lart në ranglistën botërore të Indeksit për Liritë Ekonomike dhe në vendin e dytë në rajon, pas Maqedonisë. Kjo është dëshmi serioze për krijimin e sigurisë tek investitorët botërorë, që të investojnë kapitalin e tyre në vendin tonë. Ne, duhet të punojmë edhe më shumë, që të renditemi në top vendet e para”, ka thënë Pacolli.