Kombëtarja e Kosovës në Karate nuk u lejua të hyjë në territorin e Serbisë - Foto: Federata e Karatesë

Pacolli: Do u kërkojnë organizmave sportivë ta përjashtojnë Serbinë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas ndalesës që iu bë nga Serbia Kombëtares së Kosovës në Karate për të shkuar në Novi Sad ku do të mbahet Kampionati Europian i Karatesë.

Në një postim në “Facebook”, bllokimin e sportistëve të Kosovës në kufiri Pacolli e quan “akt qyqar dhe të dëshpëruar të Serbisë”.

“Shtetësia e Kosovës nuk kontestohet dot me veprime që nuk i mbushin mendjen as më budallait të nacionalistëve serbë në opinionin publik kinse Serbia nuk e pranon shtetësinë e Kosovës”, shkroi ai.

Pacolli tha se shtetësia kosovare ekziston dhe është pranuar ndërkombëtarisht.

Sipas tij, federatat botërore sportive kanë rregulla të forta për shtetet që pengojnë pjesëmarrjen e sportistëve në aktivitete të ndryshme sepse sporti i shërben paqes dhe pajtimit mes popujve.

“Pak vite më parë në rastin e Majlinda Kelmendit, pikërisht prej  këtyre rregullave, Rusia pranoi pasaportën, flamurin, himnin e Kosovës”, ka shkruar Pacolli.

Ndër të tjera ai tha se do i kërkojnë organizmave sportiveë ta përjashtojnë Serbinë.

Autoritetet serbe nuk lejuan sot në mëngjes ekipin e Kombëtares së Kosovës në Karate të hynin në territorin serb përmes pikës kufitare në Merdar.

Karateistët kosovarë do të duhej të merrnin pjesë në Kampionatin Europian që do të mbahet në Novi Sad.