OSBE e Shqetësuar Pas Mbylljes së Strehimoreve
Pas raportimit nga KALLXO.com se momentalisht qendrat që ofrojnë mbrojtje dhe strehim për gratë dhe fëmijët të cilët kanë qenë viktima të dhunës në familje janë jashtë funksionit, ka reaguar Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Në deklaratën e dhënë për KALLXO.com, OSBE shpreh shqetësimin për mbylljen e këtyre strehimoreve.
Sipas organizatës, kjo është në kundërshtim me zotimin e institucioneve të Kosovës se do të kontribuojnë për të drejtat e njeriut.
“Jemi shumë të brengosur që strehimoret për viktimat e dhunës në familje në tërë Kosovën janë mbyllur për shkak të mungesës së fondeve, sidomos tani kur, mesatarisht, rreth 100 raste të dhunës në familje raportohen në Polici brenda një muaji. Kjo është në kundërshtim me zotimin e vazhdueshëm institucional të Kosovës për të drejtat e njeriut”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.
Organizata thekson se këto strehimore janë cilësuar si ndër hapat më pozitivë që institucionet e Kosovës kishin ndërmarrë në parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
“Këto strehimore ishin një shembull për hapat pozitivë që institucionet e Kosovës i kishin ndërmarrë për ta parandaluar dhunën në familje. Mbyllja e tyre është hap prapa, dhe e largon një mjet mbrojtjeje nga dhuna të atyre që duhet të jenë më të dashurit tanë: anëtarëve tanë të familjes”, thuhet më tej në përgjigje.
http://kallxo.com/mbyllen-strehimoret-viktimat-e-dhunes-mbesin-ne-rruge/
Tutje në këtë reagim OSBE u bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin masa urgjente që të sigurojnë mbështetje financiare afatgjate për këto strehimore.
“Ne bëjmë thirrje për vëmendje dhe masa urgjente. Qeveria duhet të zotohet, sigurohet dhe të japë mbështetje afatgjatë dhe adekuate financiare për këto strehimore”, thuhet në përgjigjen rreth kësaj çështjeje që OSBE ka dhënë për KALLXO.com.