ORCA ngrit dyshime në punimet e kandidatëve që pritet të avancohen

Sot Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) organizoi aksion protestues për parregullsitë në avancimet akademike në Universitetin e Prishtinës (UP).

Hulumtuesit e kësaj organizate thonë se kanë gjetur parregullsi të shumta në publikimet dhe revistat ku i kanë publikuar punimet kandidatët që pritet të avancohen të hënën(23 korrik).

Gramos Buqinca, hulumtues në ORCA, tha se dhjetë kandidatë të propozuar për avancime nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kanë publikuar 5 deri në 19 artikuj në revista ndërkombëtare gjatë vitit 2017.

Ai krahason mesataren e Novegjisë me atë të Kosovës, ku sipas tij, Norvegjia mesataren e publikimeve shkencore e ka 0.96 ndërsa, tek ne arrin në 5.5.

“Disa nga kandidatët e këtij procesi të cilët të hënën do të votohen për avancim, kemi parë se kanë bërë punë të jashtëzakonshme. 10 kandidatë të propozuar për avancime nga Fakulteti I Inxhinierisë Mekanike kanë publikuar 5 deri 19 artikuj në revista shkencore brenda vitit 2017 dhe gjysmës së këtij viti. Mesatarja e numrit të publikimeve për një vit del 5.5, ndërsa sipas një studimi të botuar në revistë ndërkombëtare, del se në Norvegji në fushën e njëjtë ka 0.96 publikime shkencore në vit për profesor.”, tha Bajqinovci.

Për këtë organizatë, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ose ka tejkaluar performancat akademike norvegjeze ose ato revista nuk janë cilësore.

Bajqinovci thotë se pas hulumtimeve janë zbuluar parregullsi të shumta në këto revista në të cilat kanë publikuar punimet e tyre këta 10 kandidatë.

“Nga kjo situatë mund të nxirren vetëm dy përfundime, ose Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i ka tejkaluar pesë-fish performancat akademike norvegjeze për sa i përket publikimeve shkencore, ose publikimet shkencore të FIM nuk janë në revista me cilësi te pranueshme ndërkombëtare. Shumica e këtyre publikimeve janë bërë në vetëm tri revista. Për këto tri revista ORCA ka zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë – ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Ëikipedia në publikimet e tyre. Njëra nga këto revista e ka botuesin të listuar si të dyshimtë dhe me shkelje serioze të Parimeve të Transparencës dhe Praktikave të Mira për Botues Shkencor.”, përfundoi ai.

Kjo organizatë i bëri thirrje Senatit që pavarësisht përmbushjes formale të kritereve, të sigurohet se cilësia është mbrojtur duke zbatuar standardet e pranuara botërisht.