Senati i UP-së - Foto: KALLXO.com

ORCA reagon ndaj avancimit të profesorëve ‘Supermenë’

Sot Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” mbajti mbledhjen e radhës me ç’rast edhe avancoi profesorë nga Fakulteti Filozofik, ai Ekonomik, Fakulteti Filologjik dhe nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.

Rektori Marjan Dema gjatë kësaj mbledhjeje tha se rasti i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike është problematik për faktin se kandidatët që do të avancohen kanë numër të madh publikimesh shkencore.

“Ky fakultet është pak problematik por do të shkojmë sipas normave tona. Ne kemi rast që janë publikuar punime në numër më të madh mirëpo ne i duam mendimet e trupave profesionale, Komisionit të Cilësisë së Fakultetit dhe natyrisht rregulloren. Kemi biseduar edhe në takimet tona të menaxhmentit”, tha Dema.

Profesorë të rregullt në këtë fakultet u zgjodhën Ahmet Shala, Azem Kyçyku, Mirlind Bruqi, Naser Lajçi, Nexhat Qehaja dhe Ramë Likaj.

Ndërsa, profesorë të asocuar u zgjodhën Rexhep Selimaj, Xhevat Berisha, Ferat Shala dhe Fitore Abdullahu.

Profesor asistent u zgjodh Xhevahir Bajrami, kurse asistentë Rifat Krasniqi dhe Drilon Meha.

E për këto avancime reagoi edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, e cila publikoi edhe listën e emrave të profesorëve që u avancuan sot e që kanë numër enorm të publikimeve shkencore për një periudhë të shkurtë kohore.

Sipas ORCA-s, mesatarja e publikimeve gjatë një viti për një kandidat të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike është 5.5.

“Sot në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës është vendosur pozitivisht për të gjithë kandidatët e propozuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Mesatarja e numrit të publikimeve për një kandidat të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për një vit del 5.5, që është pesëfishi i publikimit të kolegëve të tyre në Norvegji të cilët në fushën e njëjtë kanë nga 0.96 publikime shkencore në vit për profesor”, reagoi ORCA.

Tetë kandidatët janë “Supermenët” e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike sipas kësaj organizate, andaj edhe kanë publikuar periudhën kohore kur edhe i kanë publikuar punimet shkencore.

“Tetë kandidatë janë avancuar në profesorë të rregullt, duke marrë kontratë të përhershme me Universitetin e Prishtinës. Nga tani e tutje, këta profesorë nuk i detyrohen më universitetit sa i përket avancimit të tyre akademik, shkencor dhe profesional. Këta profesorë janë:

– Ahmet Shala (18 punime në një vit e gjysmë)

– Azem Kycuku (12 punime në një vit e gjysmë)

– Mirlind Bruci (10 punime në një vit)

– Naser Lajqi (10 punime në një vit e gjysmë)

– Nexhat Qehaja (9 punime në një vit e gjysmë)

– Rame Likaj (19 punime në një vit e gjysmë)

– Rexhep Selimaj (7 punime në një vit e gjysmë)

– Xhevat Berisha (15 punime në një vit e gjysmë)”, deklaron ORCA.

E kur jemi tek cilësia e revistave shkencore në të cilat kanë publikuar këta kandidatë, sipas ORCA-s në këto revista mund të gjeni parregullsi të shumta të cilat vënë në dyshim edhe cilësinë e punimeve shkencore.

“Shumica e punimeve të këtyre profesorëve janë në tre revista. Për këto tri revista ORCA ka zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë – ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Wikipedia në publikimet e tyre. Për më tepër, njëra nga këto revista e ka botuesin të listuar si të dyshimtë dhe me shkelje serioze të Parimeve të Transparencës dhe Praktikave të Mira për Botues Shkencor.”, përfundon ORCA.

KALLXO.com transmetoi LIVE seancën e Senatit të UP-së gjatë të cilës u votua për avancimet.