Rozafa Koliqi - Foto: KALLXO.com
Rozafa Koliqi rrëfen betejën për të drejtën në Universitetin e Prishtinës
Pas dy vitesh ankesa dhe denoncime, Rozafa Koliqi arriti të bëhet profesor asistent në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.
Disa ditë pas avancimit të saj ajo erdhi në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, ku edhe ishte transmetuar hulumtimi mbi padrejtësitë që i ishin bërë si kandidate në konkursin e UP-së para dy vitesh.
Në debat përballë menaxherëve të arsimit të lartë dhe të ulët, Koliqi porositi për luftë për të drejtat e secilit.
“Deri më tani është bërë 2 vite e 15 ditë kur po i njëjti senat votoi kundër meje, ka qenë dy vite plot sfida. Ideja nuk ka qenë që unë të kthehem domosdo aty, ideja ka qenë që të ndalen padrejtësitë dhe njerëzit që e meritojnë të jenë aty. Gjithmonë këto kanë ndodhë për shkak se njerëzit nuk kanë qenë të zëshëm sepse nuk kanë besuar, e unë për dallim prej tyre besova dhe ja dola”, tha Koliqi.
Ajo po ashtu tregoi se kishte pritur me durim që të kryhet procesi i avancimit të saj duke ju drejtuar për ndihmë vetëm institucioneve.
“Nëse do të ndodhte dy herë gabim atëherë do të kishim problem, jo personale por me sistem se diçka nuk po funksionon. Një gjë duhet ta dijnë njerëzit se të drejtën tënde duhet ta fitosh vetë dhe për të drejtën tënde ki me luftu vetë. Unë kam shku në çdo institucion të mundshëm që ka pasur lidhje me drejtësi dhe nuk jam ndalë”, u shpreh Koliqi.
Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ u debatua mbi problemet e arsimit të lartë dhe atij të ulët.
Pjesëmarrës në debat ishin : Shyqyri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Marjan Dema, Rektor i Universitetit të Prishtinës, Jehona Gjurgjeala nga organizata ‘TOKA’, Libor Chlad, nga Komisioni Evropian dhe Rozafa Koliqi profesor asistente në UP.
Në fund të emisionit u transmetua hulumtimi mbi konkursin për avancim në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore ku dy kandidatë po ankohen se u eliminuan padrejtësisht nga gara për Profesor Asistent.
Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: