Opozita pro debatit për dialogun, por kundër pjesëmarrjes në votime

Kryesia e Kuvendit të Kosovës  ka vendosur që të hënën të mbahet seanca në të cilën pritet të debatohet për dialogun me Serbinë, me kërkesë të Partisë Social Demokrate.

Pas seancës së kaluar, kur në Kuvend u krijua një situatë bllokimi, pasi partitë opozitare LDK e LVV nuk merrnin pjesë në votime, e kundërta pritet të ndodhë të hënën e ardhshme kur është në pyetje procesi i dialogut.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi deklaroi për KALLXO.com se si pozitë do të vazhdojnë ta mbështesin mocionin e PSD-së për të debatuar rreth dialogut.

“Ne e mbështetëm edhe dje mocionin e PSD-së për të debatuar rreth dialogut me Serbinë, por marrëveshja ishte që fillimisht të votoheshin pikat e mbetura nga seancat e kaluara. Meqë opozita nuk mori pjesë në votim ne s’mund të dilnim në seancë të re. Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Kuvendit është vendosur që debati për dialogun të vendoset në rend dite në seancën e re që do të mbahet të hënën, pas seancës se mbetur në gjysmë dje”, thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Krasniqi theksoi se presin që të hënën të zhvillohet debat.

“Dhe normalisht që kjo pikë është miratuar edhe me mbështetjen tonë, kështu që presim që të hënën të debatojmë për dialogun”, tha ai.

Në seancën e ardhshme të legjislativit pritet të marrin pjesë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Zëdhënësja e VV-së, Tinka Kurti për KALLXO.com, deklaroi  se deputetët  do të marrin pjesë ne seancën dhe diskutimin për dialogun me Serbinë pasi sipas saj, e konsiderojmë çështje madhore e tejet të rëndësishme.

Lëvizja Vetëvendosja shprehet e vendosur që të bojkotojë  votimet e projektligjeve në Kuvend.

Zëdhënësja e VV-së, Tinka Kurti shtoi se sa u përket votimeve të projektligjeve, sipas saj Qeveria po pretendon se ka legjitimitet.

“Nëse është kështu, ajo duhet t’i ketë të paktën 61 vota efektive në Kuvend. Kryeministri duhej që prej katër muajsh të kishte kërkuar votëbesimin në kuvend për të provuar se e ka shumicën. Nuk e bëri dhe deklaroi bashkë me të tjerët se mund të qeverisë. Në demokraci nuk ka rregull tjetër përpos të kesh shumicën në kuvend. Kur nuk e ke nuk mund të qeverisësh e as të marrësh vendime”, thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Ndërkaq, Grupi Parlamentar i LDK-së e ka përkrahur mocionin për debat parlamentar lidhur me Dialogun me Serbinë, ndërsa për votimin e Projektligjeve thotë se nuk ka ndërmend të ndërrojë qëndrim.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti deklaroi se nuk ka asnjë pajtim me koalicionin qeverisës.

“Kuvendi është jofunksional. Mund të caktohen çdo dite seanca të Kuvendit, por qëndrimi jonë mbetet i njëjtë, siç ishte në seancën e sotme. Jemi të vendosur të ndalojmë uzurpimin e institucioneve dhe dhunimin e demokracisë”, shkroi dje Hoti në Facebook.