Pamje nga seanca e sotme e Kuvendit, nga e cila u larguan deputetët e opozitës - Foto: KALLXO.com

Opozita Lëshon Seancën e Kuvendit

Deputetët e partive opozitare Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës.

Para se të dilnin nga salla deputetët e AAK-së dhe të Nismës, deputeti Daut Haradinaj, iu drejtua me këto fjalë kryesuesit të Kuvendit, Xhavit Halitit: “Ma shumë mori kohë duke i komentu pyetjet tona, se që bonëm pyetje”.

Në këtë kohë, deputetët e Vetëvendosjes vazhduan të qëndrojnë në sallë dhe mbanin në duar banerin me mbishkrimin: “Drejtësi për Astrit Deharin”.

Nuk shkoi edhe shumë kohë dhe edhe deputetët e Vetëvendosjes e lëshuan sallën.

Më herët kishte dështuar votimi për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për rastin Dehari. Për mbajtjen e një seance të tillë votuan 26 deputetë, numër që nuk ishte i mjaftueshëm që kjo kërkesë të futej në rendin e ditës.

Përveç Vetëvendosjes, seancën për Astrit Deharin e përkrahën edhe AAK dhe Nisma, ndërsa PDK e LDK ishin kundër.

http://kallxo.com/rasti-astrit-deharit-tensionin-serish-kuvendin/

Kërkesa për seancë është përsëritur pasi dje Kuvendit i është dorëzuar një peticion me nënshkrimet e rreth 25 mijë qytetarëve për të debatuar për këtë çështje.

Por kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli u arsyetua në çështje procedurale duke thënë se peticioni i është dërguar një komisioni parlamentar e jo kryesisë së Kuvendit.

http://kallxo.com/peticioni-per-astrit-deharin-dorezohet-ne-kuvend/