Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

Opozita e pamundëson votimin e ndryshimeve të Ligjit për Automjete

Grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës kanë qëndrime të ndryshme ndaj Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Para se të vihej në votim ky ligj Shqipe Pantina nga PSD-ja tha kërkesë e tyre është të ndryshohet amendamenti, të hiqet viti i vjetërsisë dhe të bazohet vetëm në standardet e BE-së në të kundërtën sipas saj do të dalin nga salla për ta pamundësuar votimin.

“Ligji duhet të bazohet vetëm në standard të BE-së. Nëse ka pajtueshmëri që kjo të ndryshohet ne votojmë në të kundërtën nuk jemi në sallë”, tha Pantina.

Propozuesi i ndryshimit të këtij ligji, Mërgim Lushtaku tha se kanë bërë hulumtim përkatës për Ligjin për automjete dhe sipas tij i plotëson gjitha standardet dhe direktivat e BE.

Avdullah Hoti, kryetar i GP të LDK-së tha se po vazhdon praktika që ligje të caktuara të nxitura nga interesa të ngushta klienteliste po sillën në Kuvend siç është Ligji për Automjete.

Hoti, ka paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në votim.

“Ligjet e caktuara të nxitura nga grupe të caktuara. PSD është tu e kërku pazarin e radhës për ta votu këtë ligj… GP i LDK nuk merr pjesë në votimin e këtij ligji”, tha Hoti.

Edhe Salih Zyba Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar mos votimin e këtij ligji. Ndërsa, Muharrem Nitaj, i AAK-së tha se do ta votojnë ligjin.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ia dha fjalën propozuesit për ta thënë qëndrimin e tij se a dëshiron që ligji të kthehet në komision apo të ndryshohet sipas kërkesës së opozitës.

Lushtaku, kërkoi që ky ligj të kthehet në komision por nuk i morri votat e mjaftueshme për ta kthyer në komision.

“Me qenë se në komision ka pas ndryshime dhe reflektim që mu rrit kriteret për import janë shtu edhe vitet prej 10 deri 15. Unë propozoj të kthehet edhe një herë në komision pastaj të vjen në seancë”, propozoi Lushtaku.

Me 54 vota për, 1 abstenim nuk ka mundur të kthehet ligji në komision.

Prandaj deputetët kanë filluar që ti votojnë amendamentet veç e veç.

Amandamenti 1 është hedhur në votim dhe nuk ka pas kuorum për tu votuar.

Veseli ka dalë te pika tjetër e rendit të ditës duke anashkaluar votimin e amendamenteve tjera të këtij ligji.

Pika e dytë e rendit të ditës është votimi në lexim të dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale.