Kolona të gjata në pikën kufitare në Merdarë. 07/01/2023. Foto: KALLXO.com

BKS: Parashihet gjobë nëse mjeti i regjistruar në vendin e huaj qëndron në trafikun rrugor më gjatë se 3 muaj

Byroja Kosovare e Sigurimit ka njoftuar se mjeti i regjistruar në vendin e huaj, në pronësi të shtetasit të huaj me qëndrim të përkohshëm në Kosovë, mund të marrë pjesë në trafikun rrugor të Kosovës jo me gjatë se 3 muaj nga data e hyrjes në Kosovë, pavarësisht se vlefshmëria e policës së sigurimit mund të jetë më e gjatë.

“Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) njofton të gjithë bashkatdhetarët, respektivisht policë mbajtësit se në kuptim të nenit 41 të ligjit numër 05/L-132 për Automjete, mjeti i regjistruar në vendin e huaj, në pronësi të shtetasit të huaj me qëndrim të përkohshëm në Kosovë, mund të marrë pjesë në trafikun rrugor të Kosovës jo me gjatë se 3 muaj nga data e hyrjes në Kosovë, pavarësisht se vlefshmëria e policës së sigurimit mund të jetë më e gjatë” – thuhet në njoftim të BKS.

Byroja Kosovare e Sigurimit ka apeluar të bashkatdhetarët që të respektojnë ligjin pasi që në të kundërtën sipas pikës 5 të nenit 41 parashihet gjobë ndaj qytetareve që bien ndesh me ligjin.

Byroja Kosovare e Sigurimit rekomandon bashkatdhetarët që gjatë ardhjes në Kosovës mund ta marrin online policën e sigurimit kufitar, për të mos pritur fare në sportelet e BKS-së nëpër pikat kufitare.

Ky njoftim është i vendosur dhe theksuar në ngjyrë të kuqe në policat e sigurimit kufitar të lëshuara nga Byroja Kosovare e Sigurimit.