Ilustrim

Projektligji për Automjete, deputeti i PDK-së thotë se disa nene janë kundërkushtetuese

Me 7 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, Komisioni për Legjislacion e ka votuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa ka thënë se disa nene të këtij projektligji bien në kundërshtim me Kushtetutën.

“Nuk po e kuptoj shumë logjiken. Unë konsideroj se ky ligj ka nevojë për shumë ndryshime dhe në shumë pika bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ne si komision duhet të bëjmë disa ndryshime më të gjera. Kam këqyrë se cilat pika janë në dëm të qytetarëve, mendoj që duhet të hiqet neni 43 – i kushtëzimit për pagesën e gjobave për regjistrimin sepse janë të papranueshme. P.sh. një qytetar ka një veturë me vlerë 500 euro dhe ai kushtëzohet në forma të ndryshme”, tha Beqa.

“Te ndërrimi i pronarëve, mendoj se edhe këta ta ndryshojmë. P.sh. në bazë të statistikave diku 95 mijë pronarë e bëjnë ndryshimin e pronarit kurse nëse sot regjistrohet një veturë, ai shitet tek një pronar tjetër prapë duhet me u pagu të gjitha taksat. Kjo nuk ka asnjë logjikë”, shtoi ai.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, u kundërpërgjigj duke thënë se si komision kanë për detyrë që këtë projektligj ta vlerësojnë bazën kushtetuese e jo për ta diskutuar përmbajtjen e saj.

“Ky projektligj nga përmbajtja nuk bie në fushë veprimtarinë e Komisionit për Legjislacion, ne jemi këtu si komision i përhershëm sic parashihet në rregullore, për të vlerësuar vetëm bazën kushtetuese të amandamentin dhe jo për të diskutuar përmbajtjen. Këtë e ka për fushe veprimtari Komisioni për Bujqësi”, tha Rrustemi.

8 qershor 2021, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, ka votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, duke i hapur rrugë Kuvendit të Kosovës për votim.

Ky projektligj parasheh vetëm heqjen e homologimit.

Në mbledhjen e Qeverisë më datën 28 maj 2021, është marrë vendim që të përkrahet propozimi i deputetëve të Kuvendit, për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Automjete, që i hap rrugë heqjes së homologimit të veturave.

Homologimi është një procedurë me të cilën vërtetohet përputhshmëria apo përshtatshmëria e pjesëve të veçanta të automjetit si tërësi, bazuar në kriteret, të cilat parashtrohen nga organet kompetente.

Çështja e homologimit të veturave, viteve të fundit ka krijuar zhurmë të madhe edhe nga shoqëria civile, deputetët e Kuvendit të Kosovës, por edhe faktori ndërkombëtar, për shkak se është vetëm një kompani që e zhvillon këtë veprimtari në treg, duke krijuar monopol në tregun e Kosovës.

Ky monopol ishte trashur vitin e kaluar përmes një Udhëzimi Administrativ për të cilën ekskluzivisht kishte raportuar Drejtësia në Kosovë.