Pamje nga zona kufitare me Malin e Zi - Foto: Bujar Tërstena/REL

Opozita: Çka Nëse Pas Demarkacionit Nuk Hiqen Vizat?

Çështja e demarkacionit vazhdon ta mbajë të ndarë politikën kosovare.

Kronika në vijim sjell pikëpamjet e opozitës, e cila shprehet pesimiste se pas ratifikimit të Demarkacionit do të liberalizohen vizat.

Në Vetëvendosje konsiderojnë se versioni aktual i demarkacionit nuk duhet ratifikuar, ndërsa zyrtarë të  LDK-së i kërkojnë dorëheqjen e  Qeverisë Haradinaj, nëse kalon versioni,  të cilin Haradinaj e përdori si kauzë për të ardhur  në pushtet.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë se në vazhdimësi përfaqësues të BE-së nuk kanë garantuar se Demarkacioni është kushti i vetëm për liberalizimin e vizave.

“Ne në secilin takim që kemi pasur, përfshirë edhe takimin e fundit me zonjën Apostolova, na është thënë se janë dy kushte dhe mbesin si të tilla, pra është çështja e Demarkacionit dhe çështja e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Madje, edhe kur u prezantua raporti i Strategjisë së Zgjerimit, në pyetjen e gazetares se a do të liberalizohen vizat në qoftë se kalon demarkacioni, Apostolova tha se nuk mund të garantojë“, tha Haxhiu.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e quan të patolerueshme zvarritjen e demarkacionit tash e tre vjet.

“Do ta mbështesim kurdo që vjen në Parlament. Nuk ka arsye më të prolongohet më tutje. është keq që po luhet me dy karta, në kuptimin që para ndërkombëtarëve flasin tjera gjëra dhe të tjera gjëra veprojnë brenda institucioneve. Ne nuk do të tolerojmë kështu. Marrëveshja duhet të vijë në Kuvend”, tha Hoti.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se Vetëvendosje nuk lëviz nga qëndrimi kundërshtues për demarkacionin. /21Media