Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Operimi i të Akuzuarit Shtyn Seancën

Seanca ndaj 21 të akuzuarve për krim të organizuar, kontrabandë me mallra dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare që ishte planifikuar të mbahej sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës është shtyrë pasi që i akuzuari Naser Ljamalari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike.

Avokati Skender Musa, mbrojtës i të akuzuarit Naser Ljamalari para se të fillojë seanca gjyqësore ndaj 21 të akuzuarve, deklaroi se i mbrojturi i tij nuk ka pasur mundësi të jetë në seancën e sotme pasi është i shtrirë në spital.

Ky njoftim i avokatit e detyroi kryetarin e trupit gjykues Fadil Hoxhën ta shtyjë seancën.

“Kjo paraqet pengesë që të vazhdojmë me shqyrtimin gjyqësor pasi që të gjitha provat janë te lidhura mes veti dhe është e nevojshme të jenë prezentë të gjithë të akuzuarit, andaj duhet të shtyhet seanca,” tha Hoxha.

Për shtyrjen u pajtuan edhe avokatët mbrojtës, mirëpo kërkuan që seanca të shtyhet në afat të caktuar.

Prokurori special Abdurrahim Islami propozoi mbajtjen e kësaj seanceje më 21 shtator, datë që u aprovua nga trupi gjykues.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 15 maj 2014 ka ngritur aktakuzë ndaj Hasip Kikit, Bekim Sylejmanit, Samet Ballazhit, Imer Azemit, Kadri Kurtishit, Nexhat Gashit, Bujar Lokut, Ramadan Topojanit, Tahir Currit, Kadri Kamberit, Nazmi Kalisit, Xhemajl Ramushit, Gani Shabanit, Agron Krasniqit, Rrahman Ljamalarit, Januz Ljamalarit, Naser Ljamalarit, Isuf Ljamalarit, Izair Alii, Bahtir Gashit dhe Bejtush Gashit.

Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi janë të akuzuar për krim të organizuar, kontrabandë me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi janë të akuzuar për krim të organizuar, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kamberi, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi janë të akuzuar për krim te organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa Bujar Loku edhe për veprën penale dhënie e ryshfetit.

Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi janë të akuzuar për kontrabandë me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Nexhat Gashi, Gani Shabani, Agron Krasniqi, Rrahman Ljamalari, Januz Ljamalari, Naser Ljamalari, Isuf Ljamalari, Izair Alii, Bahtir Gashi dhe Bejtush Gashi janë të akuzuar për veprën penale shmangie nga tatimi.

Seanca e radhës në lidhje me këtë rast mbahet më 21 shtator 2016.