Ministria serbe e mbrojtjes dhe televizioni publik RTS mbajtën një konferencë për filmin. Foto: BIRN.

Oficerët Serbë Konsulentë në Filmin për Luftën e Koshares

Gjenerali në pension i Ushtrisë Jugosllave, Dragan Zhivanoviq, dhe koloneli Dushko Shlivançanin, të cilët janë akuzuar, por e kanë mohuar të kenë qenë përgjegjës për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, do të shërbejnë si konsulentë jozyrtarë për dokumentarin me tre pjesë, u njoftua sot.

Dokumentari mbi betejat në Koshare dhe Pashtrik në vitin 1999 po prodhohet nga Ministria serbe e Mbrojtjes dhe televizioni publik RTS.

“Oficerët po merren në pyetje për filmin, por në një farë mënyre ata janë gjithashtu konsulentë ekspertë,” tha regjisorja e dokumentarit, gazetarja e RTS Slagjana Zariq, në një konferencë shtypi në Beograd.

Beteja në postën ushtarake të Koshares u zhvillua midis Ushtrisë Jugosllave dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999. Luftimet në malin Pashtrik, në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë, vazhduan nga 26 maji deri më 14 qershor të të njëjtit vit.

Gjenerali në pension Zhivanoviq dhe koloneli Shlivançanin, të cilët morën pjesë në konferencën për shtyp, lavdëruan trupat e Ushtrisë Jugosllave për mënyrën se si luftuan.

Zhivanoviq, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte komandant i Brigadës 125 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, ishte nën hetim nga gushti i vitit 2014 deri kur prokuroria serbe për krime lufte konfirmoi vitin e kaluar se e kishte përfunduar hetimin.

Në vitin 2013, OJQ-ja Qendra për të Drejtën Humanitare ngriti një padi penale kundër Shlivançanin, ish-komandant i Batalionit Kufitar të 53-të, duke e akuzuar atë për përgjegjësinë për vrasjen e 21 civilëve shqiptarë në fshatrat Goden dhe Zulfaj më 25 mars 1999.

Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin pohoi se filmi do të tregojë “të vërtetën shkencore” në lidhje me betejat në Koshare dhe Pashtrik.

“Kjo është hera e parë që nuk na vjen turp për veten tonë, të vërtetën tonë dhe komandantët dhe ushtarët që na mbrojtën,” tha Vulin në konferencën për shtyp.

Vulin tha gjithashtu se Serbia do të ndërmarrë projekte të tjera për të dokumentuar luftërat e viteve 1990, duke u shprehur se “ne nuk kemi të drejtë t’i lëmë brezat e ardhshëm ta mësojnë historinë nga të tjerët”.

I pyetur nga BIRN për koston e dokumentarit, regjisorja Zariq tha se realizimi do të bëhet me ndihmën e forcave të armatosura serbe, ndërkohë që intervistat nuk kushtojnë asgjë.

Shlivançanin tha se pyetja e BIRN-it në lidhje me koston “e zemëroi atë” dhe ai nuk iu përgjigj pyetjes pasuese në lidhje me padinë penale të ngritur kundër tij nga HLC-ja.

Dokumentari prej tre pjesësh do të shfaqet për herë të parë me rastin e 20 vjetorit të betejës në Koshare më 9 prill 2019.