Gjykimi për fajde | Foto: KALLXO.com

Një Bllok Shënimesh Hyn si Provë në Gjyqin për Fajde

Në gjyqin për fajde në të cilin po akuzohen Xhelal, Nuhi e Flamur Hoxha dhe polici Hamdi Jashari i ngarkuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, prokurorja e rastit Dulina Hamiti para trupit gjykues paraqiti prova të reja.

Ajo si prova paraqiti një bllok shënimesh për të cilin pretendon se është gjetur nga ana e policisë gjatë bastisjes në shtëpitë e të akuzuarve dhe tri shkresa tjera, njëra nga të cilat lidhet me të akuzuarin Nuhi Hoxha.

Rreth propozimit për administrimin e këtyre prova kundërshtime pati nga të gjithë avokatët e të akuzuarve.

Në mesin e këtyre kundërshtimeve avokati Ramiz Krasniqi mbrojtësi i të akuzuarit Nuhi Hoxha, i tha trupit gjykues se gjykata nuk duhet të lejojë që të shndërrohet në fontanë dëshirash të prokurores.

Të thuhet dhe të propozohet që të administrohet një bllok pa ditur se nga kush është marrë dhe çka përmban ai bllok është e patolerueshme deklaroi avokati Krasniqi.

Edhe Bahtir Troshupa, avokati i Xhelal Hoxhës, kundërshtoi bllokun e shënimeve si provë.

“Sa i përket bllokut e kundërshtoj që i njëjti të administrohet si provë, për shkak se konsideroj se kemi të bëjmë me hyrje të thellë në privatësi të të tjerëve, andaj i propozoj gjykatës që ta veçojë këtë provë”, tha avokati Troshupa.

Përkundër kundërshtimeve të avokatëve të të akuzuarve, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi kërkesën e prokurores për administrimin e këtyre provave me arsyetimin se në shkresat e lëndës gjendet vërtetimi me të cilin deklarohet se me bastisjen në shtëpinë e Xhelal Hoxhës është gjetur blloku të cilin prokurorja e paraqiti si provë.

Kundërshtime të avokatëve pati edhe sa u përket provave të tjera të paraqitura më herët nga prokurorja lidhur me transkriptin e bisedave të përgjuara në mes të akuzuarve.

Asdren Hoxha i cili në këtë rast e përfaqëson policin Hamdi Jashari i tha trupit gjykues se i mbrojturi i tij nuk ka qenë asnjëherë i përgjuar dhe këto transkripte telefonike të bisedave për të cilat pretendon prokurorja nuk mund të jenë të Hamdiut.

“Prokurorja ka detyrë specifike të tregojë se telefoni i kujt është përgjuar dhe se a ka pasur vendim apo urdhëresë për një gjë të tillë”, tha Hoxha.

Edhe avokati Ramiz Krasniqi i tha trupit gjykues se është detyrë e prokurores të tregojë se cilat janë këto biseda inkriminuese, kush me kënd ka biseduar dhe ku janë vendimet për përgjimin e këtyre bisedave.

Seanca e radhës do të vazhdojë me marrjen në pyetje të të akuzuarve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i ngarkon Xhelal dhe Flamur Hoxhën se nga viti 2014 e tutje kanë kontraktuar dhe pranuar shuma joproporcionale të të hollave.

Ndërkaq i pandehuri Nuhi Hoxha sipas aktakuzës ka ndihmuar të pandehurit e lartpërmendur duke ua shtyrë pagesën e këstit të fajdesë të dëmtuarve për borxhin të cilin ata e kishin marrë nga të pandehurit.

Hamdi Jashari nga prokuroria akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi në cilësinë e policit ka ndërmjetësuar në mes të të pandehurit Xhelal Hoxha dhe njërit prej të dëmtuarve.

KALLXO.com e ka ndjekur edhe më herët këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/nuk-ndihet-i-demtuar-nga-te-akuzuarit-per-fajde/

http://kallxo.com/i-demtuari-i-fajdeve-ndjeva-obligim-te-paguaj-me-shume/

http://kallxo.com/trajnimi-prokurores-shtyn-gjykimin-per-fajde/