Komuna e Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Nga nesër mbyllet për qarkullim të automjeteve rruga për në Shalë të Bajgorës 

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar drejtuesit e automjeteve se nga dita e enjte (31.05.2018), do të mbyllet për qarkullim rruga “Shala e Bajgorës”.

Kjo rrugë përfshinë segmentin e rrugës kryesore për hyrje në Mitrovicë, nga hekurudha afër urës kryesore mbi lumin Sitnicë e deri tek varrezat ortodokse, përkatësisht deri në kyqje në Magjistralen e Ibrit (Mitrovicë-Prishtinë).

Mbyllja e rrugës bëhet për shkak të asfaltimit të saj dhe do të zgjasë deri në shtruarjen e gjithë këtij segmenti rrugor.

Drejtuesit e automjeteve për të hyrë në Mitrovicë, mund ta shfrytëzojnë rrugën që kalon nëpër Tunelin e Biarit e që nga magjistralja ndahet në Shupkofc.

Ndërkaq, ata që kanë punë në Universitetin “Isa Boletini”, mund të shfrytëzojnë rrugën që në Shupkofc ndahet nga magjistralja dhe kalon nëpër hyrjen e dytë të kompleksit industrial të Trepçës dhe çon në ndërtesën e Universitetit.

Kompania që i kryen punët “Haxha-Com”do të vendosë sinjalizimin përkatës, për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve që të pengojnë asfaltimin e rrugës.