Foto: Facebook/ Lumir Abdixhiku

Nënshkruan pagesa për zhavorr për rrugën që ishte asfaltuar, Prokuroria ende pa aktakuzë ndaj zyrtarëve të Vitisë

Prokuroria e Gjilanit ende është duke hetuar rreth dosjes së disa zyrtarëve të Komunës së Vitisë, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dosja e cila pretendon se kishte keqpërdorime në një tender të rrugëve u iniciua në muajin korrik ndërsa në të pretendohet se zyrtarët nënshkruan pagesa për zhavorr në një rrugë e cila ishte shtruar më parë me asfalt.

Në muajin korrik Prokuroria njoftoi se janë arrestuar pesë zyrtarë të kësaj Komune me dyshimet se nuk kanë mbikëqyrur disa tenderë ndërsa edhe pse kanë kaluar dy muaj nga arrestimet ende nuk ka detaje të tjera për rezultatet e këtyre hetimeve.

Sipas njoftimit të Prokurorisë dosja ka të bëjë me asfaltimin e disa rrugëve rurale në Viti.

“I dyshuari i parë (F.A.), ka nënshkruar urdhër blerjen në cilësinë e menaxherit të Prokurimit. Ai ka nënshkruar urdhër-blerjet për hedhjen e zhavorrit në dy rrugë në fshatin Pozheran në vlerë prej 9,747.oo € (nëntë mijë e shtatëqind e dyzet e shtatë euro), të cilat ishin asfaltuar në vitin 2019”, thuhej në komunikatën e datës 5 korrik 2021.

Tutje sipas komunikatës, tre të dyshuarit (komision) me iniciale (R.Sh. kryetar, Sh.K. anëtar dhe S.S. anëtar, për pranim teknik kanë futur në procesverbal të pranimit teknik, si person prezentë “një menaxher të një punishteje”, pa qenë fare prezentë dhe pa pasur njohuri për këtë tender.

Njoftimi i Prokurorisë sqaronte  se vlera e rrugëve të asfaltuara është 9 mijë e 747 euro.

“Sipas dokumentacionit shihen se dy rrugë janë asfaltuar–kryer, paguar në vitin 2019, sipas dokumentacionit zhavorri është hedhur në vitin 2020 në vlerë prej 6,870.oo €+2877 €=9,747.oo€ (mbi rrugën e asfaltuar) dhe komisioni e ka pranuar këto rrugë të asfaltuara pa i vërejtur pozicionet e zhavorrit. Bazuar në analizë këto situacione janë fiktive”, thuhet tutje në komunikatë.

Javë më vonë KALLXO.com ka kërkuar sqarime nëse dosja e hetimeve është drejt përfundimit mirëpo Prokuroria e Gjilanit në një përgjigje ka thënë se nuk mund të ofrojë detaje pasi dosja është ende nën hetime.

Ky artikull u mundësua në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”, i realizuar nga Internews Kosova, Lëvizja FOL dhe Debate Center në mbështetje të Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).