Nënshkruhet marrëveshja për ndërtesën e re të RTK-së

Ministria e Administratës Publike dhe Radiotelevizioni i Kosovës kanë lidhur një Marrëveshje Mirëkuptimi për ndërtimin e objektit të RTK-së.

“Kjo marrëveshje ka për qëllim realizimin e projektit kapital të kësaj ndërtese, në ngastrën nr.556-5 , në sipërfaqe prej 8 hektarësh, që shtrihet në zonën Prishtina e Re”, thuhet në njoftimin e MAP-it.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i administratës Mahir Yagcilar, dhe drejtori i përgjithshëm i televizionit publik Mentor Shala.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, Ministria e Administratës Publike obligohet të sigurojë lokacionin në të cilin do të ndërtohet ndërtesa bazuar në vendimin e komunës së Prishtinës nr.046-94060 të datës 04.05.2015, bazuar në kontratën e datës 11.02.2016 të lidhur ndërmjet MAP-it dhe komunës së Prishtinës, të hartojë planin urbanistik, të afrojë edhe dokumentacionin tjetër përkatës dhe ta ndihmojë RTK-në gjatë realizimit të projektit. Ndërsa, RTK-ja obligohet ta financojë hartimin e projektit dhe të ndërtesës në harmoni me planin urbanistik”.

Sipas nënshkruesve kjo marrëveshje u vlerësua e rëndësishme dhe historike për RTK-në.