Nehat Idrizi: Duhet të Punojmë në Rritjen e Besimit në Gjykatat

Komentet e idrizit u bënë në konferencës e organizuar nga BIRN dhe Internews Koova në të cilën u publikua raporti i dhjetë me radhë i monitorimit të gjykatave në Kosovë.

“Duhet të punojmë në rritjen e besimit te publiku e këtë mund ta arrijmë përmes transparencës. Në rritjen e kualitetit të gjyqësorit ndikoni edhe ju duke e monitoruar sistemin. Ju përgëzoj për rekomandimet që keni gjetur për gjyqësorin”, tha Idrizi.

Disa ndër të gjeturat kryesore të raportit të publikuar sot kanë të bëjnë edhe me paraburgimet në Kosovë dhe Nehat Idrizi e pranoi se “ka vend për përmirësime”.

“KGjK së bashku me akademinë e drejtësisë po bën përpjekje për të ofruar trajnime për gjyqtarët që të rrisin kualitetin e vendimeve gjyqësore. 360 mijë euro kemi paguar kompensime për personat e mbajtur ne paraburgim dhe kjo e bën realitet rekomandimin e parë të raportit”, tha kreu i KGjK-së.

Ai inkurajoi gjykatësit që sa më shumë ta përdorin edhe dorëzaninë si masë, kur të marrin vendime për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarit.

“Rastet e paraburgimit duhet të trajtohen brenda afateve ligjore”, tha ai.

Duke folur për rritjen e numrit të gjykatësve, Idrizi tha se ligji lejon 404 gjyqtarë dhe sot aktualisht punojnë 346 gjyqtarë.

“Në ditët në vijim do të kryejmë edhe fazën përfundimtare të rekrutimit dhe shpresojmë që deri në qershor do t’i dërgojmë emrat te Presidenti (për dekretim)”, tha Idrizi.

“KGjK do të avokojë për buxhet të mjaftueshëm për të përballuar të gjitha nevojat”, shtoi ai.