Raporti i Monitorimit të Gjykatave Vlerëson Paraburgimet në Kosovë

Drejtori Ekzekutiv i Internews Kosova, Faik Ispahiu falënderoi pjesëmarrësit dhe monitoruesit e gjykatave që kanë punuar në këtë projekt.

“Në këtë raport kanë kaluar mbi 50 monitorues , ata të cilët sot nuk janë duke punuar në këtë projekt janë prokurorë,  gjyqtarë,  avokatë dhe disa të tjerë vazhdojnë ende të punojnë, ndërkaq të tjerët janë pjesë ë sistemit të drejtësisë në një formë ose tjetër”, tha Ispahiu.

Drejtorja e BIRN Kosova, Jeta Xharra, tha se ndër punët më të mira që ka bërë organizata BIRN dhe IKS është monitorimi i gjykatave për 10 vjet me radhë.

Ajo tha se në fillim të këtij projekti shumë persona kanë qenë skeptikë se si do monitorohet sistemi i drejtësisë me prezencën e kamerave në seanca.

Mirëpo, 10 vite më pas Xharra tha se po dëshmohet puna e monitorimit dhe rezultatet e saj.

“Sot po ndihemi se jemi bashkëpunëtorë me ju punëtorët e gjyqësorit për rezultatet e arritura. Nuk shihemi si rivalë pas kësaj kohe 10 vjeçare”, tha Xharra.

Tutje, Drejtoresha e BIRN tha se edhe në të gjeturat e raportit të monitorimit të gjykatave për këtë vit ka hapësirë për kritika në rritjen e transparencës nga gjykatat.

Ndërkaq , Shef i Zyrës Ligjore së BIRN dhe Internews Kosova, Petrit Kryeziu përmendi pikat kryesore të raportit të sivjetshëm të monitorimit.

“Për dallim nga viti i kaluar, kur raporti jonë është fokusuar në rastet e korrupsionit, këtë vit ky raport është fokusuar në rastet e paraburgimit dhe  kryesisht në të gjeturat e katër pikave të këtij raporti që përfshijnë vonesat e kallëzimeve penale nga policia në prokurori; dështimin e arsyetimeve të vendimeve për caktimin e masës së paraburgimit si nga prokuroria ashtu edhe nga gjyqtarët e procedurës paraprake; strategjinë e paraburgimeve në pritje të gjykimit të të akuzuarve dhe mosrespektimin e afateve gjyqësore për caktimit e shqyrtimit fillestar dhe shqyrtimit të dytë”, tha Kryeziu.