Në Këshillin e Evropës diskutohet për Kosovën

Në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është diskutuar për situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës, ku Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, bashkë me Komisionerin për Gjuhët, Slavisa Mladenoviq ishin ftuar për të raportuar.

Në fokus të raportimit ishte infrastruktura ligjore për të drejtat e njeriut; të arriturat; vështirësitë, si dhe implementimi i përdorimit të gjuhëve të minoriteteve në institucionet e Kosovës.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në këtë Asamble të Këshillit të Evropës ishin Xhavit Haliti, Aida Dërguti, Srdjan Mitroviq, Ismet Beqiri, Mufera Sinik dhe Gani Dreshaj, të cilët po marrin pjesë në Sesionin e Dytë të Rregullt dhe në mbledhjet e komisioneve të kësaj asambleje.

Në këtë takim nuk ishte prezent raportuesi për Kosovën, deputeti nga Spanja, Jardi Roca Mas, ndërsa për tw pati vërejtje nga anëtarët e komisionit.

Kryetarja e Komisionit, Ria Oomen – Rujiten, u zotua se në Sesionin e rradhës që do të mbahet me 24 – 28 qershor 2019, do të sugjerohet për bashkëpunim më të mirë në mes të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë.