Gjykimi i ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Në Gjykimin e ish-Zyrtarëve Fajësohet Zyrtarja e Komunës së Prishtinës

Në gjykimin që po zhvillohet ndaj ish- zyrtarëve të Komunës së Prishtinës është kërkuar hedhja e aktakuzës dhe janë kundërshtuar provat.

Ish- drejtori i Drejtorisë Kadastrale në Prishtinë, Shyqëri Spahiu dhe dy ish- zyrtarët e tjerë, Ramush Thaçi dhe Doruntina Peqani, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për korrupsion.

Avokati i ish- drejtorit Shyqëri Spahiu, Daut Rudi, fajësoi pasardhësit e Spahiut në Drejtorinë e Kadastrës për aktakuzën e ngritur ndaj të mbrojturit të tij.

Ish-drejtori Spahiu dhe dy ish-zyrtarët tjerë komunalë akuzohen në lidhje me regjistrimin e kundërligjshëm të një prone në emër të Naim Dushkut.

Avokati Rudi tha se drejtoresha aktuale Nora Kelmendi nuk i ka bërë disa përmirësime.

“Fillimisht, konsideroj se në rastin konkret as nuk ka vepër penale dhe për se ka vepër penale në këtë rast është shkaktuar nga pasardhërsit e tyre, tani drejtoreshes Nora Kelmendi, pasi shifet se Mehmet Dushku ka kërkuar nga e njëjta drejtoreshë që të përmirësohet ky gabim dhe e njëjta nuk ka vepruar”, tha avokati Rudi.

Ai konstatoi se në aktakuzë nuk argumentohet që ka dëm prej 500 mijë eurosh.

“Çështja e dëmit thotë se 500.000 euro dëm, kërkund se gjejmë atë dëm, nuk ekziston dëm hiç. Akuza i ngarkon me bashkëkryerje, askund në aktakuzë nuk konsiston bashkëkryerja. Këtu dashje nuk ka. 5 herë ju ka drejtuar i dëmtuari pasardhëses të Shyqërisë, drejtoreshes Nora Kelmendi”, tha Rudi.

Ndërkaq, avokati i Doruntina Peqanit, Blerim Halili, tha se e mbrojtura e tij jo vetëm që nuk ka përfituar asgjë, por madje ka kryer punën e saj me ndershmëri të plotë në dobi të qytetarëve të Prishtinës.

“Mungon dashja, e vetmja dashje e Doruntinës ka qenë që ta kryejë detyrën në mënyrë të zellshme. Këtu ka përfituar personi që e mban kontratën mbi mbajtjen e përjetshme, e jo e mbrojtura ime. Nuk kemi pasoja të dëmit. Gjithashtu, duhet të them se pasojat janë aq të vogla sa që munden me u përfundu me një aktvendim që obligim zyrën kadastrale që ex officio t’i korrigjojë gabimet”, tha avokati Halili.

Ndërkaq, i akuzuari Naim Dushku që nuk ka avokat mbrojtës, nuk  parashtroi kërkesë për hedhjen e aktakuzës, e as kundërshtimin e provave në formë të shkruar, por e tha në sallë të gjykatës verbalisht.

“Këtu nuk ka kurrfarrë veprimi të kundërligjshëm. Unë kam bërë kërkesë në Kuvendin Komunal që të më bëhet bartja e pronësisë bazuar në kontratën mbi mbajtjen e përjetshme dhe i kam bërë të gjitha veprimet që mi kanë kërkuar aty administrata, ashtu që i kam paguar të gjitha taksat dhe në këtë rast nuk konsideroj që kam kryer vepër penale”, tha i akuzuari Dushku.

Kërkesë për hedhjen e aktakuzës e kundërshtim të provave ka bërë edhe avokati i Ramush Thaçit, Visar Vehapi, ky i fundit nuk ishte i pranishëm në sallë.

Rrjedhimisht, Thaçi qëndroi prapa kërkesës së avokatit të tij dhe nuk pati asgjë për të shtuar.

Prokurorja Merrushe Llugiqi, e cila zëvendësoi prokuroren e çështjes Dulina Hamiti, kërkoi nga gjykata që t’i refuzojë këto kërkesa të avokatëve e të akuzuarve, ashtu që të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor.

Tre të akuzuarit në bashkëkryerje po akuzohen për keqpërdorim detyre sa ishin zyrtarë të Drejtorisë Kadastrale.

Shyqëri Salihu, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Kadastrit, Ramush Thaçi në cilësinë e Shefit të Sektorit në Drejtorinë e Kadastrit në Prishtinë dhe Doruntina Peqani në cilësinë e Udhëheqësit të Zyrës për Regjistrimin e Pronave të Paluajtshme në Drejtorinë e Kadastrit në Prishtinë, sipas prokurorisë, me qëllim që ti sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm të akuzuarit Naim Dushku në mënyrë të kundërligjshme kanë regjistruar pronën e paluajtshme të evidentuar në ngastren kadastrale në sipërfaqe prej 612 m2, me Zonë Kadastrale në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se këtë regjistrim prone të akuzuarit e kishin bërë duke u bazuar në kontratën mbi mbajtjen e përjestshme të datës 19 maj të vitit 1998 e lidhur në mes të mbajturit- të ndjerit Mehmet Dushkut dhe mbajtësit Naim Dushku, duke keqpërdorur autorizimet e tyre ligjore.

Në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme tani i ndjeri Mehmet Dushku i kishte lënë trashëgimi edhe djalit të tij Pajazit Dushku katin përdhes të shtëpisë që përbëhej nga tri dhoma me hapësira tjera, kurse Naim Dushkut në bazë të kësaj kontrate ia kishte lënë një pjesë të oborrit të kësaj shtëpie.

Rrjedhimisht, prokuroria pretendon se të akuzuarit e kanë privuar nga e drejta e regjistrimit të pronës të dëmtuarin Pajazit Dushku, duke aprovuar kërkesën e Naim Dushkut dhe bartur të drejtën e regjistrimit të pronës së paluajtshme në sipërfaqe prej 612 metra katrorë në të cilën ishte e ndërruar shtëpia.

Në aktakuzë thuhet se “prona e paluajtshme e lartcekur është regjistruar në regjistrat kadastralë në emër të të akuzuarit Naim Dushku, kështu duke i shkaktuar dëm të dëmtuarit Pajazit Dushku në vlerë prej 500.000 euro”.

Në këtë proces gjyqësor Naim Dushku akuzohet për mashtrin, ngase sipas aktakuzës pasi e ka regjistruar pronën në emër të tij, për këtë nuk i ka treguar vëllait Pajazit Dushku.

“Pasi e kishte regjistruar pronën në emër të tij, ka fshehur faktet duke mos i treguar vëllait të tij të dëmtuarit Pajazit Dushku, edhe pse e ka ditur se në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme babai i tyre tani më i ndjerë, ia kishte lënë në trashëgimi të dëmtuarit Pajazit Dushku katin përdhes të shtëpisë me hapësira të tjera”, thuhet në aktakuzë.