Në Gjilan synohet integrimi ekonomik i të kthyerve

Zyra për Komunitete dhe Kthim në Gjilan, në bashkëpunim me Këshillin Danez për Refugjatë (DRC), ka organizuar sot një trajnim me përfitues të granteve, të cilët në cilësinë e familjeve të kthyera, janë ndihmuar për t`u ri-integruar sa më lehtë në aspektin ekonomik.

Sipas një komunikate për media, nga ky program që është i destinuar për komunitete të kthyera në viset rurale, grante në vlerë deri në 1000 euro, kanë përfituar dhjetë familje.

Berat Abdiu nga organizata UBO consulting në Prishtinë, nënkontraktuese e këtij programi për të kthyerit, i cili financohet nga Ambasada Amerikane në Beograd, ka thënë se qëllimi i këtij projekti është integrimi ekonomik i të kthyerve.

“Granti, në vlerë deri në 1000 euro për një përfitues, përmban pako për shpezëtari dhe të tjera, ndërsa trajnimi ka për qëllim përgatitjen dhe aftësimin e përfituesve për t`i zhvilluar këto programe të biznesit. Në këtë cikël, që është i treti me radhë, Gjilani është njëra ndër tri komunat përfituese”, ka thënë Abdiu.

Tutje në komunikatë thuhet se pjesë e pakos së këtij programi, janë edhe këshillimet tremujore për përfitues të granteve si dhe mbikëqyrja e biznes-planit përgjatë një viti.

“Programet ekonomike, janë një ndihmesë e mirë për ri-integrim më të lehtë të kthyerve në shoqërinë kosovare”, është thënë në komunikatë.