Krist Gjoka, komandant i stacionit policor në Gjakovë. Foto: Kallxo.com

Në Gjakovë organizohet protestë në përkrahje të Kristë Gjokës

Nesër në ora dhjetë në Gjakovë përballë Stacionit të Policisë do të protestohet në mbrojtje të gjashtë zyrtarëve policorë të suspenduar përkohësisht me rekomandim të Inspektoratit Policor.

Arsyeja e suspendimit, janë dyshimet se të njëjtit kanë ushtruar dhunë kundër një të dyshuari për grabitje vitin e kaluar.

Lajmin për protestë e ka bërë të ditur avokati Tomë Gashi përmes llogarisë në Facebook.

Po ashtu, ai ka bërë thirrje për bashkim sa më të madh të qytetarëve.

Sipas Gashit, këta zyrtarë policorë janë heronj dhe nesër do të kërkohet anulimi i vendimit për suspendim.

“Nesër më 14.08.19 në orën 10.00 në Gjakovë Përballë Stacionit të Policisë organizohet Protestë në mbrojtje të dinjitetit të Policisë së Kosovës. Protesta organizohet nga qytetarët e Gjakovës të përkrahur nga Qytetarët e gjithë Kosovës për të shfaqur pakënaqësinë për suspendim të përkohshëm të Komandantit Kristë Gjokaj, oficerëve të lartë të policisë, eprorëve Gëzim Biblekaj, Bekim Preqi ,dhe policëve Agron Idrizaj, Milot Ukaj, e Shaban Limani. Bashkohuni nesër në protestë paqësore në favor të sigurisë së Qytetarëve, që mos të na mundin kriminelet dhe plaçkitësit, dhe të kërkojmë anulimin e suspendimit, dhe kthimin e Policëve tanë heronj në luftë me kriminel, ti dërgojmë kriminelët aty ku e kanë vendin, për të mirën tonë”, ka shkruar Gashi.