Ndihmë Zvicerane për Shtim Punësimi

Sot u bë lansimi i fazës së dytë të projektit “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat” të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të rrisë punësimin në Kosovë, përmes përmirësimit të efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit privat.

Në këtë lansim mori pjesë ambasadori i Zvicrës në Kosovë Jean Hubert Lebet, i cili tha se faza e dytë e këtij projekti ka për qëllim kryesor krijimin e një përfitimi të qëndrueshëm në Kosovë.

“E gjithë ndihma bazohet në përmirësimin e kushteve për t’u mundësuar njerëzve të gjejnë punë në Kosovë, në mënyrë që të mos largohen nga vendi”, u shpreh Lebet.

Ndërsa zëvendësministri i Industrisë dhe Tregtisë në Kosovë Faton Thaçi tha se qeveria dhe kjo ministri do të jenë të fokusuara në sektorin privat dhe në fushat e prodhimit.

“Viti 2018 pritet të karakterizohet me investime të mëdha në fushën e prodhimit. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë synon që të përkrahë të gjithë prodhuesit vendorë, në mënyrë që konsumatorit t’i ofrohen produkte cilësore”, tha Thaçi.

Gjatë fazës së parë të këtij projekti që u zhvillua nga viti 2014- 2017, përmes aktiviteteve strategjike në sektorin e përpunimit të ushqimit dhe turizmit, janë krijuar 850 vende të reja të punës me orar të plotë.

Në sektorin e përpunimit të ushqimit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) ka bashkëpunuar me fermerë dhe kompani në një sërë sektorësh të intervenimeve, duke u fokusuar kryesisht te prezantimi i varieteteve të reja industriale, hibride dhe bimëve aromatike e mjekësore, përmirësimin e kapaciteteve të kultivimit, pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare.

Ndërsa në sektorin e turizmit PPSE është fokusuar kryesisht në promovimin e Kosovës si destinacion i turizmit të aventurës dhe te zhvillimi i produkteve të reja.

Ndërsa për fazën e dytë të këtij projekti është paraparë që të krijohen 2000 vende të reja të punës për të rinjtë në Kosovë.

Sipas zëvendësmenaxherit të PPSE-së Fisnik Reçica, ky projekt do të zgjasë katër vjet.

“Kjo do të jetë një mundësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të punojnë. Ky projekt do të zgjasë katër vjet dhe do të fokusohet në sektorin e ushqimit dhe të përbërësve natyral si dhe në turizëm”, tha Reçica.

Ai shtoi se nga personat të cilët do të përfitojnë nga ky projekt 30 % prej tyre do të jenë gra dhe 10% minoritete.