Foto: Kallxo.com (arkiv)

Ndërpritet greva në Postë, punëtorëve u premtohet marrja e pagave

Greva e përgjithshme e nisur sot nga sindikalistët dhe punonjësit e Postës së Kosovës, është ndërprerë pas një marrëveshje të arritur ndërmjet ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka me drejtuesit e sindikatës së kësaj ndërmarrje.

Përmes një komunikate për media të Ministrisë, bëhet e ditur se me ndërmjetësimin e ministrit Lluka, Telekomi i Kosovës tashmë ka realizuar pagesën e qirasë Postës së Kosovës Sh.a, derisa ekzekutimi i pagave për punëtorët e Postës është paraparë të bëhet brenda ditës së sotme.

“ Sindikata është njoftuar edhe për iniciativën e kreut të MZHE-së për të realizuar kompensimin e Shërbimit Universal Postar, për të cilën, Ministri Lluka do të dorëzojë kërkesën në Qeveri së shpejti”, thuhet në njoftim.

Foto: MZHE

Sipas komunikatës, palët u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit gjatë muajve të ardhshëm, me fokus në adresimin e Strategjisë së Postës së Kosovës, “me qëllim të evitimit të situatave të ngjashme dhe gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate për Postën e Kosovës”.

Greva e përgjithshme e punëtorëve të Postës ishte paraparë të mbahej deri në orën 21:00 të ditës së sotme.