Foto: europa.eu

Ndërkombëtarët, të Lodhur Nga Dhuna dhe Retorika Politike

Bashkimi Evropian ka dënuar sot obstruksionin e opozitës në Kuvendin e Kosovës si dhe ka dënuar retorikën politike e cila tash e disa ditë është ashpërsuar.

Në një deklaratë pas zhvillimeve të sotme në Kuvend, Bashkimi Evropian ka thënë se obstruksioni në punën e Kuvendit nga ana e opozitës është i dëmshëm për jetën institucionale dhe qytetarët e Kosovës.

“Ne bëjmë thirrje për heqje dorë nga dhuna e çdo forme nga çdokush dhe kthim në dialog të bazuar në parimet e qeverisjes demokratike dhe opozitës demokratike që funksionon brenda një institucioni demokratik”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së.

“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga retorika ndezëse e cila vetëm sa i thellon ndasitë dhe e bën dialogun më të vështirë. Qëllimet politike duhet të arrihen përmes një procesi demokratik, në interes të popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Veprimet e sotme janë dënuar edhe nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell i cili shtroi pyetjen se çka mund të mendojnë qytetarët e Kosovës dhe dhunën dhe retorikën që pasuan protestën paqësore të së mërkurës.

“Dhuna do ta dëmtojë Kosovën. Është koha tani që liderët e Kosovës, në të gjitha palët, të tregojnë se mund t’i zgjidhin vetë problemet e Kosovës. Është koha për dialog serioz, siç e ka ofruar Presidentja tash e gjashtë muaj. Tetë vjet pas pavarësisë, është koha që Kosova të veprojë si një demokraci normale evropiane”, tha ambasadori O’Connell.

Dhuna e sotme është dënuar edhe nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë dënon abuzimin e procesit demokratik nga opozita, mirëpret normalitetin dhe bën thirrje për dialog të rregullt”, thuhet në një deklaratë të Misionit të OSBE-së.