Ilustrim

Nacionalistët ballkanas përdorin bluza si deklarata politike

Kur një dyqan nacionalist bluzash dhe një dyqan në internet në qytetin kroat të Splitit deshën të festonin lëvizjen fashiste ustashe të Luftës së Dytë Botërore pa u futur në telashe me autoritetet, atij i lindi një ide e re.

Ai krijoi një bluzë me shkronjën “U” të vizatuar me stil – që do të thotë ustashe- të inkorporuar në një emotikon të buzëqeshur. Ai e quajti bluzën “Xhaxha Buzëqeshja”.

Dyqani, Patriot Hrvatska, shet një koleksion të madhe bluzash me motive nacionaliste dhe pak më të buta fashiste, përfshirë “Za dom spremni” (Gati për atdhe), një slogan i përdorur nga lëvizja ustashe.

Slogani – përdorimi i të cilit është i ndaluar në rrethana të caktuara në Kroaci – është përsëri disi i maskuar në bluzat e printuara të Patriot Hrvatska, i cili nuk e përfshin fjalën “shtëpi” dhe e zëvendëson atë me një pamjen e një shtëpie për të shmangur pasojat e mundshme ligjore. Ndërkohë, katalogu i dyqanit ka si model këngëtarin polemik kroat Marko “Thompson” Perkoviq, i cili ka kënduar për të pandehurit e krimeve të luftës.

Një anëtar i stafit i quajtur Filip nuk pranoi të fliste me BIRN për mallrat e Patriot Hrvatska, duke shpjeguar se “duke qenë se Republika e Kroacisë nuk është në Ballkan dhe për pasojë automatikisht nuk i përket ndonjë rajoni imagjinar, unë e konsideroj çdo bisedë në lidhje me këtë temë të pakuptimtë edhe të kotë “.

Por pasi historia e bluzave u raportua nga disa media lokale, Patriot Hrvatska bëri një deklaratë në faqen e tij në Facebook duke thënë se të gjithë shohin gjërat që duan të shohin vetë, duke i përshkruar bluzat si “diçka të ngjashme me një test Rorschach, vetëm me konotacione politike”.

Bluza që kremtojnë ide nacionaliste apo personalitete të krahut të djathtë janë në shitje në disa vende të Ballkanit. Në Kroaci, patriotët mund të zgjedhin nga motivet mesjetare si shkrimi glagolitik ose ndërthurjen kroate, ose mund të blejnë bluza me stemën kroate të armëve, kullën simbolike të ujit të dëmtuar nga lufta në qytetin e Vukovarit, fotografi të gjeneralëve të “Luftës për Atdhe” të viteve 1990 ose fytyrën me kryq sipër të presidentit jugosllav Josip Broz Tito.

Simbolet e Forcave Kroate të Mbrojtjes, njësia paraushtarake e kohës së luftës në vitet 1990 dhe milicia e Partisë Kroate të së Drejtës, parti e ekstremit të djathtë, që u frymëzuan nga ustashët fashistë, printohen zakonisht nëpër bluza.

Kroatët e rinj mund të shihen me bluza të tilla në festën e përvitshme në qytetin e Kninit për të shënuar përvjetorin e Operacionit Stuhia të Ushtrisë Kroate, që çoi në një eksod të serbëve nga Kroacia në vitin 1995, si dhe në koncertet e Thompsonit.

Në maj të këtij viti, disa nxënës të një shkolle të mesme të Zagrebit veshën bluza me sloganin “Za dΩ (simbol për “om”) spremni” gjatë një festimi diplomimi.

Ndryshe nga ligji gjerman, i cili ndalon përdorimin e simboleve dhe sloganeve specifike naziste, legjislacioni kroat nuk thotë saktësisht se çfarë nuk është e lejuar.

Neni 325 i Kodit Penal Kroat specifikon se njerëzit që “bëjnë thirrje për urrejtje ose dhunë kundër grupeve të caktuara për shkak të përkatësisë racore, fetare, kombëtare ose etnike” mund të dënohen me deri në tre vjet burg, ndërsa organizatorët e grupeve që nxisin urrejtje mund të dënohen me deri në gjashtë vjet burg.

Neni 325 gjithashtu thotë se njerëzit që “publikisht miratojnë, mohojnë ose zvogëlojnë në mënyrë të konsiderueshme veprat penale të gjenocidit, aktet e agresionit, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës” mund të përballen me burgim deri në tre vjet.

Megjithatë, zor se ndonjë që brohorit “Za dom spremni” ose shfaq simbole ustashe gjykohet sipas Nenit 325. Në vend të kësaj ata zakonisht akuzohen sipas legjislacionit për kundërvajtje dhe gjobiten.

Këshilli i emëruar nga qeveria e Kroacisë për Ballafaqimin me Pasojat e Sundimit të Regjimeve Jodemokratike tha në shkurt të këtij viti se autoritetet duhet të lejojnë që përshëndetja “Za dom spremni” të përdoret “në situata të jashtëzakonshme” nën kushte strikte, siç janë veteranët e Forcave Kroate të Mbrojtjes.

Nikola Puhariq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kroaci tha për BIRN se përgjegjësia kryesore për popullaritetin e simboleve të tilla qëndron te politikanët, institucionet shtetërore dhe kurrikula arsimore e vendit, në të cilën historia e Luftës së Dytë Botërore është mbuluar shumë pak.

Ai përmendi hulumtimin e kryer nga OJQ-të kroate në vitin 2015 i cili sugjeroi se gati tre të katërtat e nxënësve të vitit të fundit në shkollat e mesme nuk mendonin se Shteti i Pavarur Kroat ustash i periudhës së Luftës së Dytë Botërore ishte një krijim fashist.

“Nuk është habi që ide të tilla politike vlerësohen nga të rinjtë kur kryeministri Plenkoviç thotë se “Za dom spremni” ka konotacione të dyfishta dhe nuk është domosdoshmërish një slogan fashist, kur kjo përshëndetje është pjesë e një pllakade përkujtimore të Forcave Kroate të Mbrojtjes pranë ish-kampit të përqendrimit në Jasenovac dhe kur presidentja Grabar Kitaroviq manipulon dhe mistifikon atë që ndodhi në kampin ustash,” tha Puhariq për BIRN.

Serbi: Radovan Karaxhiq, i preferuari i “fansave”

Në Serbi janë në dispozicion veshjet me imazhe të bashkëpunëtorëve nazistë të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe të figurave polemike nga luftërat e viteve 1990.

Për shembull, dyqani online Delije (Heronjtë), i cili mban emrin e grupit të tifozëve të klubit të futbollit Red Star Beograd, shet bluza që kanë të printuara imazhin e liderit politik serb të Bosnjës Radovan Karaxhiq, i cili është në paraburgim duke pritur apelin e tij kundër dënimit me 40 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera të kohës së luftës.

“Edhe pse s’e kemi zakon të flasim për politikën, është fakt se Radovan Karaxhiqi është politikani i preferuar serb në stadiumet në të gjithë Serbinë,” thuhet në përshkrimin e bluzës në faqen e internetit të dyqanit Delije.

Një tjetër dyqan online, Small Serbian Shop, shet një shumëllojshmëri të madhe bluzash që përkujtojnë lëvizjen çetnike të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe shumë dizajne ku shkruhet se “Kosova është Serbi”, përfshirë një që imiton logon e Koka Kolës, si edhe një që kremton “vëllazërinë ortodokse” me Rusinë.

Milan Antonijeviq, drejtor i Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, YUCOM, vuri në dukje se ligji serb ndalon jo vetëm simbolet neo-naziste dhe fashiste, por gjithashtu ato që “përhapin apo justifikojnë idetë ose veprimet e individëve të dënuar për krime lufte”.

Ligji parashikon gjoba midis 100,000 dhe deri në një milion dinarë (rreth 830 deri në 8,300 euro) për çdo person juridik që “shpërndan, riprodhon, magazinon, përhap ose në ndonjë mënyrë tjetër përdor” simbole të tilla, por legjislacioni nuk zbatohet nga autoritetet .

“Ky ligj, i miratuar në vitin 2009, është i mirë dhe më në fund duhet të fillojë të zbatohet,” tha Antonijeviq për BIRN.

Ndërkohë, nuk është e pazakontë të shohësh bluza nacionaliste me fotografinë e kreut ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiq ose liderin e lëvizjes çetnike të kohës së Luftës së Dytë Botërore Dragoljub “Draza” Mihailoviq, i cili u ekzekutua për bashkëpunim nazist dhe tradhti nga komunistët jugosllavë, por u rehabilitua nga një gjykatë e Beogradit tre vjet më parë, të reklamuara haptazi nëpër dyqane në rrugët e qendrave të qytetit në Serbi.

Bosnje: Asnjë ligj kundër simboleve fashiste

Ndër suveniret që janë në shitje në një dyqan të vogël në qytetin Pale, rreth 20 kilometra larg Sarajevës në entitetin e Republikës Srpska, ka bluza të zeza që përshkruajnë Radovan Karaxhiçin me fjalët “Nderi Serb”, emri i një organizate serbe të krahut të djathtë që është aktive në Bosnje.

Një burrë që e identifikoi veten si pronar i dyqanit nuk pranoi ta lejonte BIRN-in t’i bënte një fotografi bluzave. “Si klient, jeni mëse i mirëpritur, por nuk kam asgjë për t’i thënë gazetarëve,” tha ai.

Bluzat me fotografitë e Karaxhiqit, Ratko Mlladiqit, liderit çetnik Draza Mihailoviq dhe luftëtarë ustashë kroatë shpesh mund të gjenden nëpër dyqane ose në tezga të rrugëve në qytetet më të mëdha të Bosnjës.

Lëvizja Çetnik “Ravna Gora”, me emrin e të cilës njiheshin çetnikët e Mihailoviqit, gjithashtu mban një mbledhje të përvitshme në Visegrad në të cilën anëtarët veshin bluza të dekoruara me emrin ose fytyrën e Mihailoviqit dhe simbole të tjera çetnike.

Ndërkohë, “U”-ja ustashe mund të shihet në bluza në ndeshjet e futbollit dhe evente të tjera ku dalin në pah tensione etnike.

Zlatiborka Popov Momcinoviq, një profesoreshë sociologjie nga Sarajeva Lindore, tha se kjo tregon se shoqëria boshnjake po lufton ende me trashëgiminë e të kaluarës së saj të afërt, por gjithashtu edhe me çështjet e pazgjidhura nga Lufta e Dytë Botërore dhe konflikti midis çetnikëve monarkistë dhe partizanëve komunistë të Titos.

Bluzat nacionaliste ndonjëherë përdoren si mjet për të përforcuar ndasitë bazuar në etninë në vend, shtoi Popov Momcinoviq.

“Ne patëm protesta kur u arrestuan Karaxhiqi dhe Mlladiqi, në vitin 2008 dhe 2011, dhe ato bluza ishin pjesë e dekorit, sa për dijeni,” tha ajo.

Pati skena të ngjashme gjatë ose pas dhënies së vendimeve për Karaxhiqin dhe Mlladiqin Gjykata e Hagës.

“Më pëlqen që këto t’i quaj periudha urrejtje intensive dhe pastaj ne hyjmë më thellë në të kaluarën, kështu Draza Mihajloviq ose kushdo tjetër që i bashkohet kësaj parade simbolesh na tregojnë sa i thellë është problemi,” sugjeroi Popov Momicnoviq.

Ligji boshnjak nuk ka përkufizim se çfarë është një organizatë fashiste dhe simbolet fashiste nuk janë të ndaluara. Kishte disa nisma për të prezantuar një legjislacion të tillë në parlamentin e Bosnjës, por ata nuk morën mbështetjen e partive politike nga Republika Srpska.

Kontradiktat e përqendruara rreth faktit se legjislacioni i propozuar do të ndalonte grupet çetnike dhe ustashe, si dhe organizatat e bazuara në ndarjen e Handschar të Waffen-SS nazistë, anëtarët e të cilëve ishin boshnjakë myslimanë dhe kroatë.

Në Republikën Srpska, politikanët u shprehën se çetnikët duhet të përjashtohen nga legjislacioni, sepse ata ishin një lëvizje çlirimtare që doli kundër fashizmit.

Popov Momcinoviq u shpreh se arsimimi i dobët në lidhje me të kaluarën e kohës së luftës të vendit kontribuon në një situatë në të cilën disa të rinj mendojnë se është e pranueshme të veshin bluza me fytyrat e kriminelëve të luftës.

“Unë nuk besoj se një ligj në vetvete do ta rregullonte këtë, edhe pse është e nevojshme të përcaktohet se çfarë simbolesh fashiste ka në Bosnje. Kjo duhet të vijë si rezultat i edukimit dhe gatishmërisë së të gjithëve për ta pranuar këtë,” sugjeroi ajo.

Fenomeni i simboleve nacionaliste që shfaqet haptazi nëpër bluza tregon edhe njëherë si sa “i brishtë është procesi i pajtimit, sidomos kur fokusi është te përballja ose ballafaqimi me të kaluarën,” tha ajo.