Foto: Zyra e Kryeministrit

Mustafa: Prioritet Fuqizimi i Grave

“Qasja e grave dhe vajzave në pronë në Kosovë është në një situatë që lë për të dëshiruar. Pak gra dhe vajza regjistrojnë pronën në emër të tyre, pak e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë dhe kjo i vë ato në një situatë të pafavorshme ekonomike dhe financiare,” tha Mustafa.

Ai ishte i pranishëm në promovimin e Udhëzimit Administrativ për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët, ndërsa lavdëroi strategjinë zhvillimore të qeverisë.

“Ne si qeveri kemi trajtuar jorastësisht si prioritet strategjinë zhvillimore të miratuar në fillim të këtij viti, duke siguruar një rritje më të madhe të qasjes së grave në pronë dhe regjistrimin e pronës në emrin e tyre,” shtoi Mustafa.

Ai ka treguar edhe se  qeveria po synon që të merren masat e nevojshme për zbatimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë të grave në përgjithësi.

“Fuqizimi i grave dhe vajzave është dhe duhet të jetë prioritet i yni, në mënyrë që të gjitha gratë, sidomos ato në vendin tonë, ta shfrytëzojë potencialin njerëzor dhe intelektual të tyre, të shënojnë përparimin për vetveten, të kontribuojnë denjësisht në rritjen e mirëqenies familjare dhe në zhvillimin ekonomik të vendit,” tha Kryeministri.

Sipas tij, të gjitha studimet tregojnë se aty ku gruaja është më aktive në ekonomi, ato vende kanë treguar prosperitet dhe rritje më të madhe të zhvillimit ekonomik dhe kjo duhet të vlejë dhe vlen edhe për Kosovën.

“Këto masa synojnë të sigurojnë një pjesëmarrje aktive të grave në tregun e punës, në zhvillimin e iniciativës së lirë ekonomike, në barazinë gjinore, në prodhimin e të mirave dhe në ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët,” shpjegoi Mustafa.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për trashëgiminë dhe pronat e pakta të grave në Kosovë.

http://kallxo.com/e-drejta-zakonore-po-i-le-grate-pa-prona/

Edhe “Drejtësia në Kosovë”, për dy javë rresht ka transmetuar emisionet në lidhje me trashëgiminë e grave dhe regjistrimin e pronave në emër të tyre.

Në shkurt të këtij viti me anë të një postimi në Facebook Kryeministri Isa Mustafa kishte ofenduar gratë.

“Janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi, e mos po i braktisin burrat e tyre e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon) apo disa OJQ-ista nacionalistë, mos po turren kah lindja,” kishte shkruar Mustafa.

Më pas e kishte korrigjuar postimin e tij, duke hequr fjalën gratë nga ky postim.

http://kallxo.com/kryeministri-korrigjon-veten/