Murati: Qeveria po i fal 84 milionë euro Limak-ut

Zgjatja e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës Kosovës do t’i kushtojë 84 milionë euro dhe e njëjta është në kundërshtim me Ligjin për Financat Publike dhe Ligjin e Prokurimit Publik.

Kjo gjetje është pjesë e analizës “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit “Adem Jashari” me autor Hekuran Muratin.

Në raport thuhet se kostoja e ndërtimit të pistës ishte 34 milionë euro, por Murati duke u thirrur në arsyetimet e Qeverisë për kompensim të kësaj kostoje ka thënë se Kosova në fakt do të humbë edhe 50 milionë euro të tjera.

“Nëse bazohemi në fjalën e Ministrit Lekaj, plani i Qeverisë është që në kompensim të kostos prej rreth 34 milionë euro për kontratën për zgjatjen e pistës, të hiqet dorë nga marrja e taksës koncesionare për 5 vitet e ardhshme. Përkthyer në numra, taksa koncesionare që Limak Kosovo International Airport JSC do t’i obligohej Republikës së Kosovës për periudhën 5-veçare 2019-2023 është rreth 84 milionë euro”, thuhet në analizën e kontratës në fjalë.

“Me fjalë tjera, kjo do të nënkuptonte që Qeveria po i fal kompanisë Limak 84 milionë euro, para të cilat do të duhej t’i merrte nga taksa e koncesionimit sipas Kontratës për Koncesionim”.

Murati ka thënë se kontrata në fjalë është nënshkruar më 4 gusht të vitit 2017, në kohën kur Qeveria ka qenë në dorëheqje.

“Vlera e kontratës është 33.6 milionë euro, kontrata është bërë pa tenderim publik, me procedurë të negociuar”, tha ai.

Ai ka ngritur dyshime edhe te caktimi i kostos së ndërtimit të kësaj piste, që është bërë në bazë të çmimit të asfaltimit të rrugëve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar para publike në tokën që i është dhënë me koncesion kompanisë turke.

Murati ka thënë se në vendet e rajonit, siç është Maqedonia, zgjatja e pistës është bërë nga koncesionari e jo nga Qeveria siç ka ndodhur në Kosovë.

“Po ashtu nuk ka pasur analizë kosto benefit se sa kanë kushtuar pajisjet sa i përket pistës janë marrë si referencë shtrimi i asfaltit në pista të tjera”, ka thënë ai duket shtuar se Limak e ka bërë ndërtimin e pistës, ndërsa Qeveria ka paguar në këtë rast.

“Si tërësi e kontratës, Limak ka të drejta ekskluzive sa i përket pronës. Qeveria po shpenzon paranë publike te një kompani private. 34 milionë euro është shpenzim i parasë publike në biznes privat, në një farë forme është subvencion por që nuk janë përfillë procedurat”, ka thënë ai.

Ai ka rekomanduar që kontrata duhet të shpallet e pavlefshme, pasi e njëjta është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik si dhe Ligjin për Financat publike.

“Duhet të fillojnë me u hetu personat që e kanë bërë këtë kontratë”, tha Murati.

Eset Berisha, këshilltar i lartë në MI, tha se nuk pajtohet me gjetjet sa i përket fajit për ministrin Lekaj.

“Kontrata është nënshkruar në gusht pak ma shumë se 1 muaj para se me ardhë ministri Lekaj. Na është dashtë me implementu një kontratë të tillë pa hy më thellë se a janë bërë analizat e tjera. Detyrimi për zbatim është ligj, nuk kemi pasur zgjidhje tjetër”, tha ai.

Tash është duke u kontraktuar inxhinieri i pavarur mbikëqyrës, sa të përfundojnë procedurat do të përzgjidhet operatori ekonomik për mbikëqyrje.

Ndërsa, Korab Sejdiu, avokat i të drejtës afariste dhe deputet i Kuvendit të Kosovës tha se kur ka shpenzim të financave publike duhet pasur transparencë. “Kur bëhet fjalë për klauzolën e konfidencialitetit te këto kontrata ajo nuk ka vend”, tha Sejdiu.

“E kam theksu që klauzola e konfidencialitetit duhet me u heqë”, shtoi ai.

“Sa janë kontratat publike, investimet tona kapitale në përputhje me planifikimin strategjik a po përputhen shpenzimet me nevojat që i kemi ne. Në momentin që një kontratë është në kundërshtim me ligjin ajo është absolutisht e pavlefshme. Barra kryesore në këto kontrata sa i përket ligjit bie mbi institucionet tona”, theksoi avokati.

Te negocimi i kontratave, shtoi Sejdiu, ne po dështojmë se nuk po e di si po i përzgjedhin të aftë këshilltarët e transaksioneve. Sa kemi ne kapacitet ne për me negociu.

“Argumenti se na padisin është shumë i dobët. Nëse të padit dikush nuk domethënë që fiton”, tha ai.

Ndërsa, Haki Abazi, analist, tha se 26 milionë është shitur Distribucioni e 33 milionë ia japim dikujt me na shtru ato metra në Aeroport. “E përbashkëta është kompania Limak e atje Calik”, theksoi Abazi.

“Ne jemi tu dashtë mos me mbrojtë veten. Vullneti politik është i kriminalizum deri në fund, ne i krijojmë edhe arbitrazhet edhe me i humb. Kjo e Aeroportit nuk është një gjë tjetër”, shtoi ai.

“Janë shitë asete të shtetit lirë e është shtru asfalt shtrenjtë asnjë nuk ka hy në burg”, thekson Haki Abazi.

Kurse, Besnik Bislimi, profesor i ekonomisë në AUK dhe nënkryetar i Vetëvendosje, tha se iniciativa nuk ka ardhë prej Limak-ut por ka thënë Qeveria që ty po të mungon pista.

“Iniciativa ka ardhë prej Qeverisë pa bërë kurrfarë analize se çka përfiton qytetari”, theksoi ai..

“Njëjtë skema edhe me Bechtel jo 33 milionë po 54 milionë. Njëjtë edhe me Telekomin në Arbitrazh. Këto dallavere bëhen në momente tranzitore”, shtoi Bislimi.

“Kryeministri jonë nuk ka këqyrë a e ka MD-në dhe MF-në, por MI-në se dallaveret më të mëdha po bëhen në MI”, shtoi ai.

Edhe Hekuran Murati tha se kjo është skemë e nuk është bërë nga mosdija.

“Ky projekt ka qenë i buxhetuar 12 milionë euro, që në fillim e kanë ditë që nuk kanë me pagu por kanë me bo një skemë që kanë me marrë kompensim”, tha ai.

E Besnik Bislimi tha se 500 metra pistë askund në rajon nuk kushtojnë 15 milionë euro.

Murati tha se kontrata nuk është publiku asnjëherë prej Ministrisë së Infrastrukturës me gjithë premtimet se ajo kontratë do të publikohet.

Ky projekt është i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK.