Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Aeroportit dhe ASHNA-s

Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës si dhe të Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror (ASHNA), për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit, të pandehurit B.N. dhe D.M. dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare nga shtatori i vitit 2011 e deri në gusht të vitit 2018, duke i mundësuar operatorit ‘TCN’ nga Tirana përfitim të kundërligjshëm.

“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se gjatë periudhës kohore nga muaji shtator 2011 deri në gusht 2018, në vazhdimësi dhe në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), të pandehurit B.N. dhe D.M e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar OE “TCN” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.

Aktakuza është ngritur nën dyshimin e veprës penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.