FOTO: ANP "Adem Jashari"
Ministria e Financave thotë se Aeroporti i Prishtinës do të zgjerohet
Ministria e Financave përmes një komunikate për media ka thënë se Aeroporti Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë do të zgjerohet.
Sipas komuniktës, në mbledhjen e Komitetit për Partneritet Publiko-Privat është miratuar kërkesa e koncensionarit LKIA, për shtimin edhe të katër portave të reja të imbarkimit, duke rritur numrin e këtyre portave nga 8 në 12 gjithsej.
Në njoftim bëhet e ditur se zgjerimi do të bëhet në anën jugore dhe veriore të portave ekzistuese, ndërsa pritet të kushtojë rreth 3 milionë euro. Por sipas Ministrisë, plani i zgjerimi bie nën kompetencat e partnerit privat dhe rrjedhimisht Qeverisë nuk do t’i kushtojë asnjë shpenzim shtesë.
“Ky zgjerim synon që të rrisë kapacitetin e terminalit për të përballuar flukse më të mëdha të udhëtarëve, por edhe rritjen e komoditetit për pasagjerët që të kenë sa më të lehtë kalimin nëpër kontrollet e aeroportit” – thuhet në njoftim.
Gjithashtu në këtë mbledhje ky Komitet ka miratuar raportin vjetor për vitin 2022 dhe ka diskutuar kërkesën e partnerit privat për zgjatjen e afatit të koncesionimit me qëllim reflektimin e kohës së pandemisë ashtu siç parashihet në kontratë.
“Sipas Raportit mbi Pasqyrat Financiare të Auditorit të Pavarur, të Ardhurat Bruto për vitin 2022 ishin 60,177,176€ apo 36.91% më të larta sesa viti paraprak, ndërkaq numri i udhëtarëve u rrit nga 2,198,414 në 3,012,108 pasagjerë, që paraqet një rritje prej 37%” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.