Murat Jashari | Foto: Facebook

Murat Jasharit i Caktohet Trajtim Psikiatrik

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Murat Jasharit e Avni Llumnicës.

Jashari e Llumnica janë të dyshuar për sulmin ndaj avokatit Azem Vllasi që ndodhi më 13 mars 2017.

Paraburgimi Jasharit e Llumnicës do t’u llogaritet nga 13 shkurti i këtij viti.

KALLXO.com e ka siguruar vendimin e gjykatës për vazhdim paraburgimi dhe trajtim psikiatrik për Murat Jasharin.

Paraburgimin Jashari do ta kalojë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë.

Sipas vendimit të themelores, urdhërohet Drejtoria e Burgut në Gjilan që menjëherë ta dërgojë Murat Jasharin në këtëç institut.

Vendimin themelorja e ka marrë në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Supreme, në të cilën ishte ankuar avokatja e Murat Jasharit, Fehmije Gashi-Bytyqi.

Vendimin për dërgimin në trajtim psikiatrik të Jasharit e përshëndeti mbrojtësja e tij.

“Vendimi i Gjykatës Supreme në mënyrë  adekuate dhe profesionale ka vepruar në favor të kërkesës sime për mbrojtje të ligjshmërisë së paraburgimit duke e detyruar shkallën e parë për ta dërguar atë në Institutin e Forenzikës Psikiatrike”, tha avokatja Gashi-Bytyqi.

Ajo tregoi se ku është mbështetur vendimi.

”Ky vendim është mbështet në Ligjin penal dhe Ligjin e Procedurës Penale si dhe ne nenin 20 te Kartës se Kombeve te Bashkuara për mbrojtjen e personave me sëmundje mendore”, tha avokatja Gashi- Bytyqi.

Murat Jashari dyshohet për veprat penale vrasje e përfaqësuesve të lartë të republikës, përgatitjen e veprave terroriste kundër rendit kushtetues dhe sigurisë, si dhe armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com ka shkruar edhe për vazhdimet tjera të paraburgimit për Jasharin e Llumnicën

http://kallxo.com/edhe-dy-muaj-paraburgim-per-murat-jasharin/