Murat Jashari | Foto: Facebook

Shërbimi Korrektues: Murat Jashari po trajtohej në Mjekim Intensiv në momentin e vdekjes

I akuzuari për plagosjen e Azem Vllasit në vitin 2017, Murat Jashari, ka vdekur sot si pasojë e kancerit.

Këtë e ka bërë të ditur avokatja e tij, Fehmije Gashi-Bytyqi.

Ndërsa Florent Gashi, zëdhënësi i Shërbimit Korrektues, ka thënë për KALLXO.com se Jashari për një kohë ka qenë i paraburgosur, ndërsa para rreth një jave është transferuar në Repartin e Psikiatrisë Forenzike.

“Prej para një jave nuk është më në përkudesje të SHKK-së, sepse të njëjtit  i është caktuar masa e trajtimit të detyrueshem psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor”, tha ai.

Më pas, më 1 mars Jashari është transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror për shkak të gjendjes mjekësore të rënduar, ku edhe ka vdekur gjatë ditës së sotme.

Murat Jashari dhe disa persona të tjerë akuzoheshin për plagosjen e Azem Vllasit, në mars të vitit 2017, në rastin e njohur si ‘Syri i Popullit’.

Gjykata, më 9 shkurt të këtij viti, i kishte shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë.

Masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të QKUK-së në Prishtinë ndaj të pandehurit Jashari ishte caktuar  të fillonte pas plotëfuqishmërisë së këtij aktvendimi.

Sipas Gjykatës, institucioni përkatës i kujdesit shëndetësor që do ta bënte ekzekutimin e kësaj mase në këtë institut dhe obligohej që ta njoftojë Gjykatën me raport me shkrim mbi implementimin e masës dhe gjendjes shëndetësore të të njëjtit.

Këtë raportim institucioni përkatës duhej ta bënte një herë në 6 muaj.

Gjykata i shqipton trajtim psikiatrik Murat Jasharit, i akuzuar për tentimvrasjen e Azem Vllasit