Murat Jashari | Foto: Facebook

Prokuroria nis hetimet për vdekjen e Murat Jasharit

Prokuroria e Prishtinës e ka konfirmuar për KALLXO.com se me urdhër të prokurorit kujdestar kanë filluar hetimet për vdekjen e Murat Jasharit, i cili akuzohej në rastin për plagosjen e Azem Vllasit.

Jashari ka vdekur mbrëmë, përderisa ka qenë duke u mbajtur nën masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor.

Murat Jashari dhe disa persona të tjerë akuzoheshin për plagosjen e Azem Vllasit, në mars të vitit 2017, në rastin e njohur si ‘Syri i Popullit’.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj tha për KALLXO.com se me urdhër të prokurorit kujdestar kanë filluar hetimet për këtë rast nën dyshimet për “vdekje të dyshimtë”, prandaj me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Gjykata, më 9 shkurt të këtij viti, i kishte shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë.

Masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të QKUK-së në Prishtinë ndaj të pandehurit Jashari ishte caktuar  të fillonte pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi.

Sipas Gjykatës, institucioni përkatës i kujdesit shëndetësor që do ta bënte ekzekutimin e kësaj mase në këtë institut dhe obligohej që ta njoftojë Gjykatën me raport me shkrim mbi implementimin e masës dhe gjendjes shëndetësore të të njëjtit.

Gjykata i shqipton trajtim psikiatrik Murat Jasharit, i akuzuar për tentimvrasjen e Azem Vllasit